Kreditë me probleme bien poshtë kufirit të 7%, në nivelin më të ulët prej janarit 2009

schedule07:25 - 8 Tetor, 2021

schedule 07:25 - 8 Tetor, 2021

Raporti i kredive me probleme në fund të muajit gusht shënoi një rekord të ri në rënie për 12 vitet e fundit.

Sipas informacionit nga Banka e Shqipërisë, ky tregues zbriti në nivelin 6.9%. Kjo është shifra më e ulët e regjistruar që prej muajit janar 2009. Pas pandemisë, rritja e raportit të kredive me probleme ishte një nga shqetësimet kryesore për bankat dhe rregullatorët. Në fillimet e pandemisë, Banka e Shqipërisë parashikonte në analizat e saj të brendshme se raporti i kredive me probleme mund të rritej deri në 15%.

Deri tani, ecuria e raportit të kredive me probleme po shfaqet dukshëm më e mirë se të gjitha parashikimet. Vitin e kaluar, raporti rezistoi në nivele të qëndrueshme, edhe falë masave administrative për menaxhimin e situatës, siç ishin shtyrja e pagesave apo ristrukturimi i kredive pa përkeqësuar statusin e huamarrësit. Masat që lehtësonin ristrukturimet ishin në fuqi deri në fund të muajit mars të këtij viti dhe për shkak të afateve standarde për klasifikimin e kredive me probleme pritej që efekti i tyre të vërehej duke filluar nga mesi i këtij viti.

Por, një gjë e tillë nuk ka ndodhur, madje raporti i kredive me probleme ka vazhduar të ulet më shumë. Përmirësimi i ekonomisë reale me ritme edhe më të mira se parashikimet duket se ka luajtur një rol të rëndësishëm në ruajtjen e cilësisë së protoflit të bankave. Për tremujorin e dytë 2021, Prodhimi i Brendshëm Bruto u rrit me 17.9%, ndërsa në vlerë absolute tejkaloi nivelet e vitit 2019, para pandemisë. Përmirësimi ekonomisë vlerësohet se ka shëndoshur bilancet dhe aftësinë paguese të subjekteve huamarrëse.

Në mesin e këtij viti, Banka e Shqipërisë vlerësonte se stoku i kreidve me probleme kishte vlerën e 370 milionë eurove ose 11% krahasuar me fundin e vitit të kaluar. Kjo tregon se masat e përkohshme në përgjithësi e kanë arritur qëllimin e tyre, që ishte dhënia e kohës së mjaftueshme që gjendja financiare e huamarrësve të rimëkëmbej nga pasojat e pandemisë. Që nga mesi i vitit të kaluar deri në mesin e këtij viti, sektori bankar ristrukturoi 27 miliardë lekë. Pjesa dërrmuese e kredisë së ristrukturuar, rreth 90%, është kredi e marrë nga bizneset.

Një rol po aq të rëndësishëm në rënien e raportit të kredive me probleme ka pasur rritja e kreditimit. Në fund të muajit gusht, portofoli total i kredisë për ekonominë arriti në 631.8 miliardë lekë, në rritje me 6.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Zmadhimi i portofolit total të kredisë ka ndihmuar në uljen e peshës relative të portoflit të kredive të këqija. Nga ana tjetër, vijimësia e kreditimit ka ndikuar raportin e kreidve edhe në kuptimin cilësor, sepse vijimësia e mbështetjes financiare ka ndihmuar aktivitetin normal ekonomik të sektorit privat./Monitor

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!