Krasniqi zbardh takimin me Kurtin: Kryeministri na informoi për situatën në veri

schedule12:40 - 26 Shtator, 2021

schedule 12:40 - 26 Shtator, 2021

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është takuar sot me liderët e subjekteve opozitare në Kuvend.  Kurti priti në zyrën e tij, kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi dhe kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.

Pas takimit, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka bërë të ditur se nga Kurti  janë informuar për gjendjen aktuale në veri të vendit dhe rrjedhën e veprimeve të deritanishme në zbatimin e vendimit për reciprocitetin me targa.

Përmes një postimi në Facebook, Krasniqi thotë  se ka kërkuar nga Kryeministri që të marrë masa për zbatimin e ligjshmërisë, garantimin e sigurisë së policëve dhe zyrtarëve të Republikës së Kosovës si dhe të gjithë qytetarëve të komunave veriore pa dallim.

Po ashtu përballë kësaj situate dhe për menaxhim efikas, kreu i PDK-së ka kërkuar që të ketë koordinim me partnerët ndërkombëtarë, veçanërisht me ShBA-në, BE-në dhe KFOR-in.

Reagimi i plotë:

Së bashku me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhikun, sot kam takuar kryeministrin Albin Kurti, lidhur me zhvillimet e fundit në pjesën veriore të vendit.

Nga kryeministri Kurti u informuam për gjendjen aktuale në veri, si dhe rrjedhën e veprimeve të deritanishme, në zbatimin e vendimit për reciprocitet me targa.

Kërkova nga Kryeministri që të marrë masa për zbatimin e ligjshmërisë, garantimin e sigurisë së Policëve dhe zyrtarëve tjerë të Republikës së Kosovës si dhe të gjithë qytetarëve të komunave veriore pa dallim.

Njëkohësisht, përballë kësaj situate dhe për menaxhimin efikas të saj, kërkova që të ketë koordinim me partnerët ndërkombëtarë,  veçanërisht me SHBA-në, BE-në dhe KFOR-in.

Zbatimi i ligjshmërisë në tërë territorin e Republikës së Kosovës, është obligim kushtetues. Në ushtrimin e sovranitetit tonë kushtetues, organet e rendit dhe ligjit duhet ta kenë përkrahjen e të gjithëve.

g.v/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!