Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë vendim për të shkatërruar materialin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar të katër komunave Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, si dhe të materialit të zgjedhjeve të parakohshme për kuvendet komunale të Zveçanit dhe Leposaviqit.
Lajmi për KosovaPress, bëhet i ditur nga zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.
“Asgjësimi apo shkatërrimi i materialit zgjedhor, është detyrim ligjor për KQZ-në. Sipas vendimit të KQZ-së, pjesë të materialit që do të shkatërrohet janë fletëvotimet, formularët e rezultateve; listat e votuesve dhe materiale të tjera, që i takojnë zgjedhjeve të 23 prillit”, tha Elezi.
Pavarësisht se janë përfunduar të gjitha procedurat e zgjedhjeve të 23 prillit në këto katër komuna, rrethanat e krijuara pas marrjes së detyrave nga kryetarët shqiptarë, ka tensionuar situatën e sigurisë. Me nevojën për zgjedhje të reja atje me pjesëmarrjen e qytetarëve serbë, është dakorduar edhe Qeveria e Kosovës, por deri më tani nuk është ndërmarrë asgjë konkrete.
Sipas të dhënave të KQZ-së, zgjedhjet të cilat u mbajtën më 23 prill, kryesisht në objekte alternative (kontejnerë), i kushtuan buxhetit të shtetit rreth 142 mijë euro.
“Sipas raportit të hartuar, nga 497 398 euro të planifikuara, janë shpenzuar vetëm 141 938 euro apo 28.54 për qind e mjeteve të planifikuara. Në këtë shumë të përgjithshme të mjeteve të shpenzuara, janë përfshirë edhe mjetet për organizimin e zgjedhjeve të 18 dhe 25 dhjetorit 2022, të cilat u shtynë më 10 dhjetor, si dhe mjetet për organizimin e zgjedhjeve të datës 23 prill 2023. Buxheti i planifikuar për organizimin e raundit të parë të zgjedhjeve ka qenë në shumën 310 183 euro, ndërsa për raundin e dytë 246 300 euro”, ka njoftuar Elezi.
/KosovaPress/