Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpallur rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve lokale në katër komunat veriore të Kosovës. Lëvizja Vetëvendosje ka fituar në Mitrovicë të Veriut dhe në Leposaviç, ndërsa në Zveçan dhe Zubin Potok të parët kanë dalë kandidatët e Partisë Demokratike të Kosovës.
Lulzim Hetemi nga Lëvizja Vetëvendosje ka marrë 73.5% të votave në Leposaviç, Albulena Behluli-Hetemi e Partisë Demokratike të Kosovës ka marrë 25% të votave, ndërsa Aleksandër Jabllanoviç, i cili ishte tërhequr nga gara, ka marrë 1.05% të votave.
E në Mitrovicë të Veriut, Erden Atiç nga Lëvizja Vetëvendosje ka marrë 66.9% të votave, i pasuar nga kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës, Taulant Kelmendi me 23.4% të votave, dhe Betim Osmani nga Iniciativa Qytetare Mitrovica me 9.7% të votave.
Sipas rezultateve të publikuara nga KQZ, në Zveçan, Ilir Peci i Partisë Demokratike të Kosovës ka marrë 59% të votave, Fetah Peci i Vetëvendosjes ka marrë 37.3% të votave ndërsa Sllagjana Pantoviq ka marrë 3.6%.
Ndërsa në Zubin Potok ka fituar PDK me kandidatin Izmir Zeqiri i cili ka marrë 52.2% të votave, ndërsa kandidati i Vetëvendosjes, Flatron Hasani ka marrë 47.7% të votave.
Zgjedhjet e jashtëzakonshme në veri të vendit janë mbajtur më 23 prill./abcnews.al