KQZ regjistron koalicionin “Aleanca Liberale e Djathtë” në zgjedhjet e 14 Majit

schedule11:32 - 18 Mars, 2023

schedule 11:32 - 18 Mars, 2023

KQZ ka regjistruar koalicionin “Aleanca Liberale e Djathtë” për zgjedhjet e 14 Majit. Koalicioni përbëhet nga tri parti: Partia Balli Kombëtar Demokrat, Bashkimi Liberal Demokrat dhe Partia Bashkimi Demokrat. Koalicioni do të drejtohet nga Partia Balli Kombëtar Demokrat dhe do të ketë siglën ALD.

PD zyrtare kërkoi gjatë mbledhjes mosregjistrimin e koalicionit me pretendimin se nuk është përputhje me Kodin Zgjedhor. Përfaqësuesi ligjor, Indrit Sefa tha gjatë mbledhjes se deputetët Tritan Shehu, Edmond Spaho dhe Luan Baçi duket të kishin deklaruar përkatësinë me këto parti të vogla të paktën 6 muaj para zgjedhjeve.

“Këto deklarime duhet të ishin bërë përpara datës 27 Janar. Në bazë të dispozitës, këta deputetë nuk legjitimohen për të bërë një kërkim të tillë. Këto subjekte për qëllim të paraqitjes së listave duhet të mbështeten nga 1 përqind e zgjedhësve. Në rastin konkret kanë zgjedhur mbështetjen e disa deputetëve që janë deklaruar së fundmi. Nuk mund të lejohet që 6 muaj përpara përfundimit të mandatit të bëjnë një deklarim të tillë ndaj mendoj se ky propozim nuk është në zbatim të ligjit dhe rrjedhimisht komisioneri duhet ta refuzojë këtë kërkesë dhe të mos e marrë në konsideratë. Ndaj dhe komisioneri duhet ta rrëzojë këtë kërkesë.”, tha Sefa.

Megjithatë, sipas kryekomisionerit Ilirjan Celibashi, kërkesa për regjistrimin e këtij koalicioni është në përputhje me Kolegjin Zgjedhor.

“Kërkesa është në përputhje me parashikimin e Kolegjit Zgjedhor. Në momentin që paraqitet kërkesa për regjistrimin e një koalicioni, e vetmja dispozitë që e rregullon është neni 65 i Kodit Zgjedhor dhe sipas tij, mundet të regjistrohen në KQZ si koalicion. Pra i vetmi kusht është që partitë që janë pjesë e koalicionit të jenë pjesë e KQZ dhe meqenëse këto parti janë të regjisatruara si subjekte zgjedhore për t’u regjistruar si koalicion dhe nga vlerësimi që i bëjmë, kërkesa është në përputhje me parashikimet e KQZ ndaj vendosim që ta regjistrojmë koalicionin “Aleanca Liberale e Djathtë.”, tha Celibashi./abcnews.al