TIRANË – Në zgjedhjet e 14 majit do të kryhet votim dhe numërim elektronik në 3 bashki të vendit, përkatësisht në Vorë, Kamëz dhe Elbasan.
Vendimi u miratua sot në mbledhjen e KQZ. E parashikuar fillimisht vetëm Vora, KQZ zgjeroi hartën edhe me dy Bashki të tjera për votim dhe numërim elektronik më 14 maj pas miratimit të fondit shtesë nga qeveria.
Me VKM, Këshilli i Ministrave akordoi një fond shtesë prej 800 mln lekësh për KQZ.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tha se çdo subjekt ka të drejtë të zgjedhë vëzhguesit e saj në zgjedhjet lokale, të cilat do të zhvillohen më 14 maj.
Ky institucion po ashtu miratoi rekomandimet e bëra nga shoqata Kolicioni për Reforma, Integrim dhe Institucione të Konsoliduara (KRIIK), që sipas Ilirjan Celibashit janë të përshtatshme për t’u përfshirë “në aktin e akreditimit të subjekteve të vëzhgimit në qendrën e votimit”.
Një tjetër çështje, e cila ishte në rend dite të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve kishte të bënte me plotësimin e vakancave në Këshillat Bashkiakë në disa qytetet, mes të cilëve dhe Durrësi. /abcnws.al