KQZ: Kallëzim penal kryebashkiakëve që ndryshojnë vendbanimet e votuesve

schedule13:18 - 17 Janar, 2019

schedule 13:18 - 17 Janar, 2019

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të kallëzojë penalisht kryetarët e bashkive dhe përgjegjësit e zyrave të gjendjes civile, që lejojnë ndryshimin artificial të  vendbanimeve  të votuesve të tyre. Deklarata u bë nga  kryetari i këtij komisioni Klement Zguri, i cili paralajmëroi se do t’i drejtohen prokurorisë, sapo që ato të konstatohen dhe pa pritur përfundimin e procesit zgjedhor.

Ndryshimi i vendbanimit artificial me qëllim mbështetjen me vota të kandidatëve për kryetarë të bashkive jo vetëm që nuk do të tolerohet, por edhe do të ndëshkohet. Paralajmërimin e ka bërë kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Klement Zguri.

“Ndryshimi artificial i vendbanimit përbën shpërdorim të pastër detyre, por ka pasoja të rënda edhe mbi sistemin demokratik, sepse cënon rëndë raportin e zgjedhësve me pushtetin e zgjedhur, si atje ku votojnë zgjedhësit e zhvendosur artificialisht, ashtu dhe atje ku ata fshihen padrejtësisht nga lista”.

Ky fenomen i kundraligjshëm lë gjurmë, ndaj është i verifikueshëm dhe i provueshem lehtësisht njoftoi kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Zgjedhësit e zhvendosur artificialisht regjistrohen masivisht në adresa artificiale. Është e lehtë të konstatohet se kur në një apartament figurojnë 10, 20 apo 30 familje, atëherë në këtë bashki, kryetari i bashkisë dhe përgjegjësi i zyrës së Gjendjes Civile kanë organizuar në bashkëpunim, zhvendosjen artificial të vendbanimit të zgjedhësve, duke kryer shpërdorim detyre.

“Auditët e emëruar nga KQZ që mbikëqyrin listat e zgjedhësve do të merren posaçërisht me investigimin e këtij fenomeni. KQZ-ja do të kallëzojë penalisht kryetarët e bashkive dhe përgjegjësit e zyrave të gjendjes civile, kurdoherë që të vihet përballë këtyre fakteve, sapo që ato të konstatohen dhe pa pritur përfundimin e procesit zgjedhor”.

Ky paralajmërim publik bëhet me qëllim që të mos ketë kryetarë bashkish që tentojnë për të bërë këtë formë manipulimi. Thirrja i drejtohet edhe Kryeministrit Edi Rama dhe kryetarit të opozitës, Lulzim Basha, që të deklarohen kundër kësaj skeme manipulimi.

“Ndaj unë ftoj dhe lidershipin e mazhorancës dhe atë të opozitës të deklarohen publiksht kundër, me qëllim që t’I heqin çdo mbështetje politike fenomenit”.

Ata që do të votojnë në zgjedhjet  e 30 Qershorit kanë kohë deri në 21 Maj të verifikojnë emrin e tyre në listën elekronike të zgjedhësve e publikuar në faqen zyrtare të internetit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Pas kësaj date listat bëhen përfundimtare.  Zgjedhësit që nuk e kanë emrin në listë mund të votojnë vetëm me vendim gjykate./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!