Alfred Beleri humb mandatin, si kryetar i Bashkisë së Himarës. Në mbledhjen e kësaj të premteje, KQZ vendosi të shpallë mandatin të pavlefshëm.
Në një lidhje me Skype për “Tirana Live”, deputeti i PS, Lavdrim Krashi tha se qytetarët e Himarës meritojnë një kryetar të denjë për të drejtuar bashkinë e Himarës.
Ai nuk përjashtoi as emrin e perfektit të qarkut të Vlorës, Vangjel Tavo, i cili mund të ishte personi që përmbush kriteret politike.
“Qytetarët e Himarës për më shumë se një vit, meritonin një person të denjë për të drejtuar territorin për për periudhën 4-vjeçare. Gjithsesi procedurat teknike dhe ligjore, duhen respektuar, dhe e rëndësishme është që pati një vendim ose një mundësi për të marrë vendimin që qytetarët e Himarës, do të shkojnë drejt kutive të votimit për të pasur kryetarin e tyre të zgjedhur me votën popullore. PS padyshim ka strukturat e saj dhe mekanizmin e saj demokratik për të zgjedhur kandidatin dhe personin që do ta përfaqësojë PS në bashkinë e Himarës.
Vangjel Tavo në dijeninë time është perfekti i qarkut të Vlorës dhe ka detyrimin për të bërë atë detyrë të perfektit, por nëse strukturat e PS do të propozojnë emrin e tij nuk ka pse të mos jetë. Secili qytetarë ka të drejtë për t’u zgjedhur me kusht që të plotësojë disa kritere politike”, tha Krashi./abcnews.al