Kolegji i Posaçëm i Apelimit mbylli shqyrtimin e ankimit të bërë nga Komisioneri Publik kundër vendimit që ndërpreu procesin e Vettingut për ish-kryeprokurorin Adriatik Llalla. Vendimi përfundimtar nëse do rë rihapet apo jo Vettingu për Llallën do shpallet në 11 Qershor.
Më 11 Qershor 2018, Kolegji i Posaçëm i Apelimit do të shpallë vendimin përfundimtar nëse ish-Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, do t’i nënshtrohet apo jo procesit të vetingut.
Ish-kryeprokurori kishte zgjedhur të mos paraqitej në seancën e tretë të shqyrtimit të ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit që ndërpreu procesin e vettingut për të. Vendimi në fjalë është shpallur nga Komisioni i Posaçëm i Apelimit në 16 Shkurt 2018, gjashtë ditë pasi Llalla paraqiti dorëheqje tek Presidenti i Republikës.
Përmes përfaqësuesit të tij, për të cilin ka lëshuar një prokurë nga Turqia, Llalla kërkoi lënien në fuqi të vendimit që e përjashtoi atë nga kontrolli i trefishtë që do i bënte Vettingu, pasurisë, figurës dhe aftësive të tij profesionale.
Avokati Haziza tha se Adriatik Llalla kishte hequr dorë nga statusi i magjistratit përmes dorëheqjes së tij të depozituar tek Presidenti i Republikës, njëkohësisht kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
Për Komisionerin Publik, institucioni që përfaqëson interesat e publikut në procesin e vettingut, Llalla nuk duhet t’i shpëtojë këtij kontrolli.
Llalla gëzon statusin e magjistratit, theksoi Komisioneri, duke argumentuar se ai nuk ka ndjekur procedurën ligjore. Pasi nënvizuan faktin se dorëheqja e Llallës i është përcjellë me postë kreut të shtetit Komisioneri hodhi dyshime nëse ajo ishte nënshkruar apo jo nga ish-kryeprokurori.
Përfundimisht, Komisioneri kërkoi prishjen e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe vazhdimin e Vettingut për Adriatik Llallën.
Pasi u njoh me konkluzionet e palëve, Kolegji mbylli shqyrtimin dhe u tërhoq në dhomën e këshillimiut për të dalë me një vendim, mesditën e së hënës./abcnews.al