Arsyetimi i KPA: Pse u shkarkua përfundimisht Donika Prela

schedule13:01 - 25 Shtator, 2020

schedule 13:01 - 25 Shtator, 2020

KPA shkarkoi nga detyra prokuroren Donika Prela me arsyetimin se nuk justifikonte pasurinë.

Prela nuk ishte e pranishme në seancën e sotme, as avokati i saj.

Po kështu edhe në seancën e fundit që u zhvillua në KPA, më datën 18 shtator, Donika Prela nuk u paraqit për arsye shëndetësore dhe u përfaqësua avokati i saj.

KPA ka vendosur shkarkimin me arsyetimin se Prela nuk justifikon apartamentin në Durrës dhe një llogari bankare.

“Për vlerësimin e pasurinë me apartamentin e ndodhur në rr. Bajram Curri 95.6 m2, subjekti i rivlerësimit ka mungesë të burimit financiar për të justifikuar pasurinë.

Në lidhje me pasurinë e likuiditetit në shumën 4.501.427 rezulton se subjekti i rivlerësimit ka mungesë të burimit financiar të ligjshëm për justifikimin e pasurisë.

Në lidhje me transaksionin prej 25 mijë eurosh, kolegji arriti në përfundimin se kjo shumë është pasuri e subjektit të rivlerësimit dhe personit të lidhur me të.

Për këtë pasuri rezultoi se ka mungesë të burimit financiar të ligjshëm për të justifikuar krijimin e saj dhe ka kryer fshehje pasurie.

Kolegji bazuar në përfundimet e mësipërme ka arritur në konkluzionin se subjekti Donika Preka ka kryer deklarim të pasaktë dhe të pamjaftueshëm të pasurisë së saj dhe të personave të lidhur me të.

Si rrjedhojë vendimi i Komisionit me nr. 103 datë 5.02.2019 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit duhet ndryshuar pasi nuk gjendet i drejtë bazuar në fakte, prova dhe ligj.

Komisioni i Posaçëm i Apelimit vendosi shkarkimin e subjektit Donika Prela. Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm”, u tha në vendimin e KPA.

Prela e emëruar së fundmi nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, në Prokurorinë e Tiranës ka mbajtur për më shumë se një vit detyrën e drejtueses së Prokurorisë së Krimeve të Rënda, e cila u shkri në fund të vitit 2019.

Në kohën kur ajo mori drejtimin e Krimeve të Rënda ishin nën hetim disa çështje të rëndësishme.

Në korrik të vitit 2019, Prela kandidoi për të qenë pjesë e SPAK, por KLP e s’kualifikoi atë nga kjo garë.

Në tetor të 2019, Prela kërkoi të transferohej në Prokurorinë e Apelit ose në Prokurorinë e Përgjithshme.

Prela u konfirmua në detyrë nga shkalla e parë e vettingut, në një nga vendimet më të debatueshme të KPK-së.

Por Komisioneri Publik kërkoi shkarkimin nga detyra të ish-drejtuese së Krimeve të rënda, për problemet me pasurinë, aftësinë profesionale dhe pastërtinë e figurës ndërsa Prela deklaroi se dispononte fakte se burimi i krijimit të pasurisë ishte i ligjshëm.

N.D./abcnews.al