Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë të vettingut për gjyqtarin Alaudin Malaj. Kështu, Malaj, përjashtohet nga sistemi i drejtësisë për një periudhë 15-vjeçare.
Ish-gjyqtari i Gjykatës së Apelit dha dorëheqjen nga statusi i magjistratit në korrik të këtij viti, duke iu shmangur procesit të vettingut.
Ai ka pasur përplasë edhe me ish-ministrin e brendshëm Fatmir Xhafaj për të cilin kishte dorëzuar kallëzim në Prokurorinë e Posaçme. Përplasjet kanë nisur pasi Malaj ka bërë publik dënimin e vëllait të ish-ministrit Fatmir Xhafaj, Geron Xhafaj në Itali.
Por, ky kallëzim nuk u regjistrua nga SPAK me argumentin se nuk janë gjetur elementët të veprës penale. Përpara se të largohej nga sistemi pa ju nënshtruar procesit të vettingut Malaj paditi në SPAK anëtaren e KPK-së Suela Zhegu për falsifikim të dokumenteve.
Malaj ka një karrierë të gjatë në sistemin e drejtësisë ndërsa është folur edhe për pasurinë e tij. Ai disponon një pasuri të deklaruar prej 1.7 milionë euro, për të cilën u hetua dhe doli i pafajshëm nga Prokuroria. /abcnews.al/