Këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit (DASH), Derek Chollet, gjatë vizitës në Shkup ka konfirmuar “partneritetin strategjik me Maqedoninë e Veriut”, ndërsa ka theksuar edhe nevojën për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, që konsiderohet si shqetësuar për shkak të përmasave që ka marrë në veçanti në sistemin e drejtësisë.
Kështu tha kryeministri maqedonas, Dimitar Kovaçevski, pas takimit që zhvilloi me zyrtarin e lartë amerikan në Shkup më 11 janar.
Kovaçevski tha se në këtë takim është konstatuar se për Maqedoninë e Veriut nuk ka alternativë tjerë pos integrimit në Bashkimin Evropian.
“Integrimi evropian dhe nevoja për të vazhduar me reformat, por edhe vendimet që duhet të merren gjatë vitit 2023, sikurse ndryshimet kushtetuese, ishin në fokus të takimit tonë. Ne kemi mbështetjen nga SHBA-ja për ndryshimet kushtetuese që do të mundësojnë vazhdimin e integrimit evropian. Maqedonia e Veriut nuk ka alternativë tjetër përveç BE-së, ashtu sikur nuk kishte alternativë tjetër përveç NATO-s kur miratuan vendimet të vështira, por të domosdoshme për t’u bërë pjesë e aleancës”, tha kryeministri maqedonas.
Vitin e kaluar, Shkupi nisi bisedimet për anëtarësimin në BE, por bisedimet thelbësore për kapitujt nuk do të fillojnë pa ndryshimin e Kushtetutës maqedonase për përfshirjen e pakicës bullgare në të.
Kjo parashihet me marrëveshjen me Bullgarinë, bazuar në propozimin francez për zgjidhjen e kontesteve mes dy vendeve lidhur me çështjet historike, gjuhën dhe identitetin maqedonas.
Kovaçevski tha se me këshilltarin e lartë të DASH-it, Derek Chollet, kanë biseduar edhe për krizën energjetike dhe përballjen me të gjatë vitit 2022 dhe planet për vitin 2023, pasi në këtë fushë, sipas Kovaçevskit, Shkupi ka marrë mbështetje të fuqishme nga Uashingtoni.
Vizitat që zyrtarët amerikanë kanë zhvilluar në Maqedoninë e Veriut gjatë muajve të fundit kanë pasur në fokus luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Ambasadorja amerikane në Shkup, Angela Aggeler, më 9 janar bëri të ditur se për Uashingtonin, kjo çështje do të ketë prioritet, krahas çështjeve që lidhen me energjetikën dhe ekonominë.
Në dhjetor të vitit të kaluar, në Maqedoninë e Veriut ka qëndruar një ekip për sanksione nga Uashingtoni për të hetuar funksionarët dhe ish-funksionarët e dyshuar për korrupsion.
Siç pati njoftuar Ambasada e Shteteve të Bashkuara, ky ekip ka për detyrë “të ketë një qasje më agresive për aktorët e korruptuar, si për ata në të kaluarën, ashtu dhe ata aktualë”./REL