Kotzias: Nuk u kam dorëzuar detin shqiptarëve

schedule15:06 - 24 Shkurt, 2018

schedule 15:06 - 24 Shkurt, 2018

Në një intervistë radiofonike, ministri i jashtëm grek Nikos Kotzias u shpreh se opozita në vend po e akuzon pa fakte kur deklaron se ai i ka falur det Shqipërisë. Ndërkohë që javën e ardhshme ai pritet të jetë në parlament për një interpelancë rreth marrëveshjes me Shqipërinë.

Ish-ministrja greke Dora Bakoyannis ka kërkuar interpelancë urgjente me ministrin e jashtëm Nikos Kotzias për marrëveshjen me Shqipërinë. Vetë Kotzias i është përgjigjur kësaj kërkese në një intervistë për ERT. Ai u shpreh se aktualisht politika e jashtme dhe pse mbetet një fushë interesante është e rrethuar nga lajme të rreme dhe shtrëmbërime të realitetit. Kotzias theksoi se po akuzohet pa të drejtë nga opozita në vend për faktin se mund t’i ketë dorëzuar të gjithë Jonin shqiptarëve. Sipas tij marrëveshja mes dy vendeve është akoma e papërfunduar dhe askush nuk mund ta ketë parë e nuk mund të jetë në dijeni për atë që po ndodh në këtë proces.

Ministri i jashtëm grek u shpreh se për sa i përket çështjes së zonave detare, negociatat janë në fazën ku Presidenti i Shqipërisë duhet të japë autorizimin për skuadrën e negociatave të ministrisë së Jashtme Shqiptare për të negociuar me atë greke. Dhe përderisa ka ende një proces institucional në Shqipëri, opozita greke po akuzon për përmbajtjen e kësaj marrëveshje që do negociohet me detaje pas lejes së Presidentit të Shqipërisë. Kotzias përfundoi reagimin e tij duke thënë se ka njerëz që nuk e kanë idenë e politikës së jashtme dhe si negociohet. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!