Ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Kotzias, duke e cilësuar presidenti Erdogan si arrogant thotë se ai nuk mund të ndryshojë kufijt mes dy vendeve. Gjithashtu thotë se mosmarrëveshjet duhet të zgjidhen përmes diplomacisë.
Ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Kotzias në një intervistë për median gjermane, Der Spiegel”, ka folur gjerësisht për mardhënien delikate me Turqinë. Ai nënvizon se qeveria e Athinës dhe as Ankaraja nuk po përgatitet për luftë. “Nuk ka alternativë për paqen; ne duhet t’i zgjidhim problemet tona përmes diplomacisë, në mënyrë paqësore dhe në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. Por kjo nuk do të thotë që ne nuk ndjekim nga afër sjelljen e fqinjëve tanë”, shprehet Kotzias.
Në intervistë, kryediplomati grek thotë se presidenti i Turqisë ka hyrë në një fazë nervozizmi. Gjithashtu akuzoi Erdogan se është arrogant dhe se mendon se mund të bëjë gjithçka që dëshiron në rajon. Kotzias thotë për “Der Spiegel” se marrëdhëniet mes dy vendeve janë përshkallëzuar për shkak të presidentit turk dhe ëndrrave të tij për hegjemoni. Për këtë, ministri i jashtëm pati edhe një qartësim.
“E drejta ndërkombëtare është në anën tonë. Erdogan nuk mund të dëshirojë seriozisht të ndryshojë kufijtë e Europës. Ai nuk ka lënë të kuptohet se është duke menduar për diçka të tillë. Por ai provokoi incidente që provonin se vendosi në diskutim sovranitetin grek, dhe në mënyrë indirekte, atë të BE-së, në Mesdhe dhe gjetkë”, shprehet Kotzias. Më tej këshillon Turqinë që të mos nënvlerësojë forcën ushtarake të Athinës. “Miqtë e mi në Turqi duhet patjetër të kuptojnë se përgjigja jonë për provokimet, madje edhe për ato të një natyre ushtarake, nuk duhet të interpretohet si dobësi”, thotë kryediplomati grek.
Ndër të tjera, Kotzias tregoi dhe se i kishte thënë presidentit Erdogan gjatë vizitës që zhvilloi në Athinë se “Allahu ka vendosur që tokat të jenë pranë njëri-tjetrit dhe Ai i shikon veprimet tuaja dhe pret që ju të veproni në mënyrë racionale dhe morale”. Gjithashtu kërkoi lirimin e dy ushtarëve grekë të arrestuar në territorin e Turqisë duke thënë se dorëzimi i ushtarëve që kalojnë vijën kufitare mes dy vendeve ishte një praktikë që zbatohej rregullisht mes tyre./abcnews.al