Kostoja e lartë e një Turqie të paparashikueshme

schedule15:46 - 14 Tetor, 2021

schedule 15:46 - 14 Tetor, 2021

Nga Marc Pierini “Carnegie Europe”

Gjatë viteve 2019-2020, udhëheqja e Turqisë ndërmori një sërë nismash në politikën e jashtme dhe atë ushtarake. Përveç fitores së Azerbajxhanit mbi Armeninë, falë mbështetjes ushtarake të Ankarasë për Bakunë, nismat e tjera nuk patën shumë sukses.

Përkundrazi -nga aktivitetet e saj në Mesdheun Lindor dhe Libi, deri tek ngërçi në provincën siriane të Idlibit, dhe përpjekja për t’i shtyrë refugjatët e dëshpëruar në anën e kufirit grek-Ankaraja përfundoi në kuotat më të ulëta diplomatike,si asnjëherë më parë nën sundimin 19-vjeçar të Partisë për Drejtësisë dhe Zhvillim (AKP).

Ekonomia turke është në krizë, sistemi gjyqësor është i politizuar, dhe udhëheqja politike po distancohet nga Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe Këshilli i Evropës sa i përket çështjeve të sundimit të ligjit. Si për ti vënë kapakun, sistemet raketore S-400 të prodhuara nga Rusia janë shndërruar vazhdimisht në një mollë sherri mes Turqisë nga njëra dhe NATO-s dhe Shteteve të Bashkuara nga ana tjetër.

Komentet mbi këtë situatë janë të shumta. Disa analistë turq kanë dhënë një shpjegim të thjeshtë mbi këtë kaos shumëdimensional:sipas tyre po shohim “fundin e një epoke” dhe kalimin e qartë në një politikë post-Erdogan pas zgjedhjeve të ardhshme.

Por ka edhe një pikëpamje disi të ndryshme:drejtimi i ardhshëm i Turqisë varet nga partitë e saj politike dhe votuesit turq. Ky mendimi dëshiruar mund të mos ndihmojë shumë, por qëndrueshmëria demokratike mund të jetë e mjaftueshme, në rast se forcat opozitare sillen në mënyrë racionale dhe votuesit dalin të shumtë në numër ditën e zgjedhjeve.

Duke lënë mënjanë debatin mbi fundin e një epoke përkundrejt një epoke tjetër, duket se pas zgjedhjeve të ardhshme, udhëheqja turke do të duhet të reformojë urgjentisht katër fusha madhore:sistemin politik, sundimin e ligjit, ekonominë, dhe mbrojtjen. Edhe nëse frika nga humbja e zgjedhjeve e shtyn udhëheqjen që të anashkalojë zgjedhjet, Turqia do të përballet me të njëjtat sfida.

Së pari, gjendja e arkitekturës politike. Populli turk i merr seriozisht zgjedhjet, dhe shumë prej tyre tani dyshojnë shumë tek përfitimet reale që sjell për vendin një sistem super-presidencial. Për pasojë, partitë opozitare po organizohen më mirë.

Tani debatet e tyre politike po përqendrohen tek një rikthim në sistemin parlamentar, dhe si të ndërtojnë një platformë të përbashkët në funksion të këtij qëllimi. Deri më tani, sondazhet elektorale po tregojnë vazhdimisht rezultate negative për aleancën në pushtet AKP-Partia e Lëvizjes Nacionaliste (MHP), dhe për vetë presidentin, duke i ofruar atyre një perspektivë të pakëndshme përpara.

Ka të ngjarë që koalicioni në pushtet të përdorë të gjitha mjetet që ka në dispozicion për të penguar përpjekjet e opozitës, përfshirë ndryshimin e ligjit zgjedhor,ndoshta edhe nxjerrjen jashtë ligjit të forcës politike të mbështetur kryesisht nga kurdët në Turqi, Partisë Demokratike Popullore (HDP).

Megjithatë, nëse i besojmë sondazheve, hendeku i madh në vota midis aleancës qeverisëse pas opozitës nuk mund të ngushtohet dot me llojin e taktikave që janë parë në zgjedhjet e mëparshme, si për shembull mbyllja e qendrave të votimit për arsye sigurie, ndërprerja e energjisë gjatë numërimit të votave, apo refuzimi në bllok i ankesave për manipulim të votës të paraqitura në Këshillin e Lartë Zgjedhor.

Këtë herë, sfida për udhëheqjen aktuale turke është reale. Së dyti është çështja e sundimit të ligjit. Qytetarët e Turqisë ushqehen vazhdimisht me gënjeshtra të trasha – si për shembull pretendimi se qytetarët gjermanë dhe francezë që qëndrojnë në radhë të gjata për të blerë ushqime – dhe ballafaqohen me poshtërimin e ish-aleatëve gylenistë të AKP-së dhe shoqërisë civile, siç është rasti me gjyqin farsë ndaj Osman Kavala.

Për analistët perëndimorë, një sjellje e tillë është një shenjë e dobësisë politike. Por në një autokraci që përballet me një të ardhme të pasigurt, frikësimi mbetet një mjet shumë i fuqishëm politik. Deri më tani lidershipi aktual në Turqi ika injoruar kritikat nga Shtetet e Bashkuara, BE dhe Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, ku Turqia është anëtare.

Raportimi i mediave të pavarura dhe pjesëmarrja e lartë e votuesve, do të kenë rëndësi më shumë se kurrë më parë.

Elementi i tretë është ekonomia. Ekonomia turke mbështetet tek eksportet që garantojnë një monedhë të fortë, një turizëm shumë dinamik dhe shumë investime të huaja direkte, dhe që të gjitha këto kërkojnë besim tek politikat fiskale dhe monetare të vendit, si dhe sundim të ligjit.

Mjerisht, midis tregjeve në zhvillim, Turqia dallon për shkak të politikës absurde të

normës së interesit që ka caktuar udhëheqja e saj. Ajo bazohet në besimin se bankat nuk duhet të rrisin normat e interesit, dhe se normat e ulëta të interesit nxisin inflacionin e ulët. Kjo politikë monetare, e imponuar nga kreu i shtetit, si dhe emërimet e ndërlidhura të administratorëve të bankave qendrore, minojnë vetë tregjet nga të cilat varet ekonomia e vendit për mbijetesën dhe prosperitetin e saj.

Kësaj gjendjeje të pakuptueshme të punëve i duhen shtuar efektet e korrupsionit, politika e “projekteve të çmendura” dhe përmendja e përsëritur e teorive konspirative. Dhe kjo gjë sjell efekte negative tek investitorët dhe tregjet financiare, si dhe e shton pakënaqësinë e klasës së punëtorëve ndaj inflacionin real, papunësisë masive dhe premtimeve të rreme. Largimi i Turqisë nga kjo situatë absurde do të varet nga udhëheqja.

Së fundi, është çështja e mbrojtjes. Turqia është përdorur nga Rusia si një pykë kundër NATO-s, duke prodhuar një situatë të favorshme për Kremlinin, dhe një ngërç për Ankaranë. Ngërçi aktual për shkak të sistemeve raketore ruse S-400 që i janë dorëzuara Ankarasë në vitin 2019, po kërcënon hapur të ardhmen e Forcave Ajrore Turke.

Për më tepër, deklaratat politike që dalin nga udhëheqja e Ankarasë, tregojnë mospërputhje të mëdha midis vazhdimit të kontratave të mbrojtjes me Rusinë, dhe blerjeve shtesë të avionëve dhe pajisjeve të prodhuara nga SHBA.

Udhëheqja e Turqisë gjatë legjislaturës së ardhshme, do të duhet të përballet me faktin e qartë se politika aktuale e “pasjes së njërës këmbë në të dyja kampet” nuk prodhon një mjedis të qëndrueshëm për vendin. Kjo ambivalentë, ose mund të përjetësohet si e tillë me një rrezik të lartë me vete, ose mund të sqarohet me koston e zgjedhjeve të dhimbshme.

Dhe kjo lloj politike sjell gjithashtu rreziqe për NATO-n, Shtetet e Bashkuara dhe BE-në, pasi kjo prodhon në mënyrë të pashmangshme përfitime për Rusinë. Një NATO më e dobët dhe një BE më e dobët, mund të duken tërheqëse për udhëheqjen aktuale të Turqisë për arsye elektorale dhe personale, por që të dyja përfaqësojnë rrugë të rrezikshme për të ardhmen e vendit.

Të ballafaquar me shumë paparashikueshmëri, fuqitë perëndimore ka të ngjarë që të ulin disi tonet e tyre, në mënyrë që të shmangin një përkeqësim të mëtejshëm të marrëdhënieve me Ankaranë. Duke marrë parasysh të gjitha këto, e ardhmja e Turqisë është e ngarkuar me shumë pasiguri dhe kontradikta. Debati politik përpara zgjedhjeve do të jetë i ashpër. Për herë të parë që nga viti 2002, kur AKP-ja e Erdoganit u ngjit në pushtet, barra e ndryshimit do të bjerë mbi partitë politike dhe votuesit turq. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al