Tetë të vdekur në vendin e punës vetëm brenda këtij viti në Kosovë. Viktima e fundit është një 48 vjeçar nga komuna e Ferizajt në një zonë industriale të Shtimës, i cili ra nga lartësia teksa ishte duke punuar në një godinë në ndërtim e sipër. Aksidenti i tij u regjistrua rreth orës 20.45 minuta të së mërkurës.
Autoritetet u gjendën në vendngjarje, por ai humbi jetën në spital. Kjo situatë alarmante ka vënë në lëvizje Ministrinë e Punës me Inspektoratin që kanë dalë në terren për të zhvilluar një aksionin në vendpunime të ndryshme me qëllim kontrollin e nivelit të sigurisë në vendet e punës.
Sipas ministrisë inspektimet do të fokusohen kryesisht në sektorin e ndërtimit. Ministri Andin Hoti ka thënë se inspektimet do të bëhen në dy turne dhe do të zgjasin për 15 ditë. Ministria e Punës po ashtu ka njoftuar formimin e një task-force të përkohshme ndërinstitucionale për sigurinë në vendin e punës. Ai u ka bërë thirrje kompanive të mos e shohin sigurinë e punëtorëve si kosto shtesë, ndërsa u ka bërë thirrje qytetarëve të raportojnë për çdo shkelje.
Inspektorati i Punës do të publikojë çdo 48 orë numrin e inspektimeve të realizuara dhe të masave të shqiptuara.



