Dialogu Kosovë-Serbi duhet të rifillojë sa më parë dhe të dyja vendet duhet të përgatiten për sakrifica të vështira. Ka qenë ky mesazhi që kanë përcjellë dy senatorë amerikanë, të cilët ditën e mërkurë kanë vizituar Prishtinën, ku janë takuar me liderët politikë.
Dy senatorë amerikanë, republikani Ron Johnson dhe demokrati Chris Murphy kanë pritur në ambasadën amerikane në Prishtinë presidentin Hashim Thaçi, krerët e partive politike si dhe përfaqësues të shoqërisë civile. Kanë kërkuar nga ta vazhdimin e dialogut si dhe arritjen e një marrëveshjeje finale mes Kosovës e Serbisë. Sipas tyre, duhet të merren vendime të vështira.
Chris Murphy, senator i SHBA: Sa i përket dialogut, ai duhet të vazhdojë dhe të merren vendime të vështira për të dyja vendet, edhe Beogradin. Ne do ta vazhdojmë udhëtimin tonë në Serbi dhe atje do t’i themi edhe Vuçiçit të njëjtën gjë. Ne presim që ky dialog të jetë kuptimplotë dhe i frytshëm dhe shpresojmë që të dyja palët do ta kuptojnë se kërkohet sakrificë për të qenë e mundur që të normalizohen raportet mes këtyre dy kombeve.
Ron Johnson, senator i SHBA: Ne jemi këtu të japin përkrahjen tonë për këtë vend dhe për këtë rajon. Arritja e një marrëveshjeje mes Kosovës dhe Serbisë është çelësi i arritjes së një prosperiteti për qytetarët e të dyja vendeve.
Senatorët amerikanë gjithashtu inkurajuan qytetarët e Kosovës që të dalin në zgjedhjet e parakohshme të 6 Tetorit. Vizita e dy senatorëve amerikanë vjen vetëm pak ditë pasi SHBA-ja emëroi zëvendës-ndihmës sekretarin amerikan të Shtetit, Matthew Palmer përfaqësues të Posaçëm të Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor./ABC News Albania 24/7