Organizata “Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist”, në bashkëpunim me “Përpjekja”, kanë paralajmëruar mbajtjen e një proteste si reagim ndaj sinjaleve për shtrenjtim të energjisë elektrike.
Sipas njoftimit të tyre, protesta do të zhvillohet sot nga ora 13:00. Organizimi do të jetë pranë objektit të KEDS-it, ndërsa marshimi do të vazhdojë deri te ndërtesa e Qeverisë së Kosovës.
“Që nga viti 2022, faturat e rrymës shtrejtohen në baza vjetore. KEDS-i kërkon rritje të faturave, ndërsa ZRrE-ja, si të ishte argat i tyre, ia aprovon çdo kërkesë në kurriz të popullit. Sot qytetarët/et e Kosovës nuk paguajnë vetëm koston e rrymës: ne paguajmë për humbjet e KEDS-it, paguajmë për keqmenaxhimin e tyre, paguajmë për etjen e tyre të pafund e për çdo gabim që ata bëjnë, krejt kjo vetëm për t’i siguruar që xhepat e tyre të vazhdojnë të trashen në kurrizin tonë.Në shkëmbim ne prapë kalojmë ditë pa rrymë, me mosfurinizim të bollshëm, pa ngrohje në ditë dimri e me shtrenjtime të vazhdueshme të çdo aspekti të jetës sonë si pasojë e rritjes së çmimit të rrymës.
Pas rritjes prej 16.1% që na u bë në mënyrë grabitqare nga ZRrE-ja vitin e kaluar, edhe sivjet po na paralajmërohet një vjedhje tjetër, tash diku 20%. Kjo hile e radhës prapë po i bashkon institucione publike e private që për ta pasuru KEDS-in po na e kthejnë kamxhikun neve, për të na rrjepë deri në cent të fundit”, shkruhet në njoftimin e tyre.
Në reagimin e tyre thuhet gjithashtu se kërkesat e njëpasnjëshme të KEDS-it për shtrenjtim të tarifave janë miratuar nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE), duke e zhvendosur barrën financiare te konsumatorët, shkruajnë mediat në Kosovë.
“KEDS-i vazhdon t’i mbledhë frytet e punës së punëtorëve/eve të KEK-ut që punojnë natë e ditë për ta prodhuar rrymën të cilën e blen shumë lirë e neve na e shet shumëfish. Përveç që vazhdon ta shfrytëzojë asetin publik dhe punën e dinjitetin e punëtorëve/eve të KEK-ut, KEDS-i, i ndihmuar vazhdimisht nga ZRrE-ja, po tenton të na varfërojë edhe më tej.


