Sondazh

Protestat e Sali Berishës:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Kosovë/ Orët e fundit për presidentin, partitë ende pa marrëveshje

schedule08:33 - 3 Mars, 2026

schedule 08:33 - 3 Mars, 2026

Afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit të ri po shkon drejt fundit, ndërkohë që partitë politike parlamentare ende nuk kanë një marrëveshje që do t’i siguronte 80 votat e nevojshme për zgjedhjen e tij.

Takimi i zhvilluar të hënën në mes të kryetarit të Vetëvendosjes, Albin Kurti, dhe atij të Lidhjes Demokratike, Lumir Abdixhiku, nuk ka prodhuar rezultat.

Pas takimit, Abdixhiku tha se e sheh shumë të vështirë konsensusin politik mes partive për emrin e presidentit të ri, tek theksoi se nuk ka qëndrim refuzues ndaj presidentes Vjosa Osmani.



“Neve nuk na ka ardhur askush me 15 nënshkrime për t’i kërkuar edhe 15 të tjera. Neve nuk na është propozuar asnjë emër për t’i kërkuar votat tona. Pra, në këtë fazë, nuk kemi qëndrime refuzuese ndaj askujt. Aq më pak ndaj zonjës Osmani”, ka thënë Abdixhiku.

Kurti dhe Abdixhiku janë takuar për të njëjtën çështje edhe të hënën e shkuar.

Abdixhiku tha se nëse edhe Vetëvendosja, edhe Partia Demokratike hyjnë në garë me nga një nominim për president, atëherë vendi shkon në zgjedhje. Me 66 votat e koalicionit qeverisës dhe 15 deputetët e LDK-së do të siguroheshin 81 votat e nevojshme për zgjedhjen e presidentit të ri, që afat kushtetues ka deri më 5 mars.

“Pra në qoftë se vendosë Lëvizja Vetëvendosje dhe PDK-ja të ketë garë, atëherë shkojmë në zgjedhje sipas të gjitha gjasave, sepse nuk e di se si do t’i bëjnë 80 vota por konsensusi bën president. LDK-ja ka qenë e angazhuar të gjejë president. Pra të gjejë një emër konsesual, jo zgjatim të qeverisë, mos të jetë vazhdimësi e qeverisë, e sidomos e një qeverie që i ka 51 për qind të votave, presidenti duhej të ishte një kundër balancë”, ka deklaruar lideri i LDK-së.

Kryeministri Kurti tha se nuk i ka 80 votat e nevojshme për zgjedhjen e presidentit dhe se krejt çfarë mund të bëjë me numrat aktualë është t’i sigurojë nënshkrimet për dy kandidatë.

“Si Lëvizje Vetëvendosje ne kemi mundësi që ta nxjerrim një kandidat sepse  i bëjmë 30 nënshkrime, sepse nevojiten 30 nënshkrime për të pasur kandidaturë. Bashkë edhe me pakicat që i kemi në mazhorancë mund t’i nxjerrim dy kandidatë. Për shkak se me 66 veta i kemi 60 nënshkrime. Tash edhe opozita, nëse nuk e përfshijmë Listën Serbe, janë 43 deputetë, 22 PDK-ja, 15 LDK-ja dhe 6 AAK-ja gjithsej bëjnë 43. Pra edhe opozita mund të nxjerrë kandidat. Kushtetuta na obligon që t’i evitojmë zgjedhjet, që të mos shkojmë në zgjedhje. Kushtetuta thotë që ne duhet të angazhohemi maksimalisht që të mos shkojmë në zgjedhje”, është shprehur Kurti.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!