Lista Serbe, me anë të një deputeti të saj që mori pjesë në mbledhjen e qeverisë së Kosovës, shpalosi kushtet për qëndrimin në koalicion. Kryeministri Haradinaj nënvizoi se ekzekutivi aktualisht nuk mund të diskutohet për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Qeveria e Kosovës zhvilloi një mbledhje, në të cilën ishte i pranishëm edhe Dalibor Jevtiç, zëvendëskryeministër nga radhët e Listës Serbe. Gjatë fjalës së tij, duke parashtruar kushtet e qëndrimin në koalicion, theksoi se arrestimi i Marko Gjuriç të hënën në Mitrovicë nuk ishte vendim i ekzekutivit. Jevtiç kërkoi sqarime rreth dhunës së përdorur gjatë operacionit dhe i rikujtoi ministrave se deputetët e Listës Serbe i mbështetën gjatë gazit lotësjellës të lëshuar në kuvend nga Vetëvendosje.
Dalibor Jevtic, Zv/Kryeministër i Kosovës: “Do të më vinte turp nëse ndonjë ministër shqiptar do të trajtohej në Beograd sikurse Gjuriç në Prishtinë. Atë nuk do t’ia dëshiroja askujt sepse nuk bëhet fjalë për nacionalitet por për njerëz. Njerëzit nuk trajtohen ashtu. Nëse jeni të hapur dhe dëshironi që në të ardhmen të punojmë në paqe e qetësi e pakta që duhet të bëni është që të hapni hetime për të gjetur përgjegjësit për atë çfarë ndodhi”.
Atij iu përgjigj drejtëpërdrejtë kryeministri Haradinaj duke thënë se operacioni nuk ishte kundër qytetarëve dhe deputetëve të Listës Serbe, por ndaj një zyrtari të Beogradit që kishte hyrë ilegalisht. Pas mbledhjes shefi I qeverisë mbajti një konferencë për shtyp ku njoftoi se ende nuk është arritur në diskutimin për formimin e Asociacionit të Komunave Serbe në Kosovë, që është një ndër kushtet e deputetëve serbë.
Ramush Haradinaj, Kryeministër i Kosovës: “Ajo që është me rëndësi është qe si Kosovë, shqiptaret e kanë traditë që dinë t’i ruajnë të gjithë. E hëna ka pasur ato zhvillimet që dimë. Por është për t’u përshëndetur guximi i Jevtiç për te lënë mundësinë e hapur për diskutim. S’kemi zgjidhje tjetër pos të ulemi, pos tavolinës”.
Gjithashtu sqaroi se ministri i bujqësisë, Nenad Rikalo është dhunuar nga agjentët e “ROSU”, pasi nuk është njohur dhe është menduar se ai ishte pjesë e sigurimit të Gjuriç për shkak të gjatësisë. /abcnews.al