Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa e ka cilësuar të paligjshëm ekipin negociator për dialogun me Serbinë, duke deklaruar se ngritja e tij dëshmon pafuqinë e qeverisë për t’u angazhuar në këtë proces.
Në një ceremoni të mbajtur me rastin e 29-vjetorit të themelimit të LDK-së, Mustafa se ekipi i krijuar nuk mund t’i shitet Brukselit si grup uniteti, as qytetarëve të Kosovës dhe as opozitës së vërtetë.
Sipas Mustafës, LDK vazhdon të jetë e para në skenën politike kosovare, pavarësisht viteve të kaluara në pushtet. Më tej, Mustafa ka fajësuar qeverinë për dështimin në liberalizimin e vizave dhe ka paralajmëruar se LDK nuk do të mbështesë kurrë opsionin e korrigjimit të kufijve.
“Marrëveshja përfundimtare duhet të arrihet pa cënuar në asnjë formë sovranitetin e Kosovës. ajo duhet të bazohet në deklaratën e pavarësisë dhe të hapë rrugën për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare”, ka shtuar Mustafa./abcnews.al