Kosovë, deputetja Brovina kërkon falje për publikimin e fotos

schedule21:05 - 17 Maj, 2019

schedule 21:05 - 17 Maj, 2019

Marrja në pyetje nga Prokuroria Speciale duket se e ka gjunjëzuar deputeten Flora Brovina, e cila të premten ka kërkuar falje për publikimin e fotos që sipas saj tregonte dhunimin që ushtarët serbë i bënin një vajze nga Kosova. Në reagimin e saj, Brovina ka deklaruar se nuk e kishte verifikuar origjinalitetin e fotos që ngjalli diskutime të shumta.

Vërtetësinë e fotografisë së publikuar dje para mediave nga deputetja Flora Brovina e ka vënë në pikëpyetje edhe vetë ajo duke thënë se nuk e ka verifikuar. Brovina ka kërkuar falje në një konferencë për media pasi u mor rreth tri orë në pyetje nga Prokuroria Speciale.

Flora Brovina- Deputete PDK: “Fotografia me gjasë është e falsifikuar. Ju kërkoj falje të gjithëve, sidomos grave të dhunuara. Mua ma kanë dorëzuar foton diku në vitin 2003 në një zarf”.

Brovina thotë se foton, e cila dyshohet të jetë e falsifikuar, e ka marrë nga një anëtar i KMDLNJ-së, por nuk ka përmendur emra konkretë. Ndërsa sipas saj fotografia i është dorëzuar përmes nënkryetares së komisionit në atë kohë, ish-deputete e LDK-së Mevlude Saraçi Sahatçiu. Kjo e fundit e ka demantuar Brovinën duke thënë se do ta padisë për shpifje.

Edhe kryetar i KMDLNJ-së ka mohuar se ndonjë aktivisti i këtij këshilli t’i ketë dorëzuar Flora Brovinës një foto të tillë. Ndërsa prokuroria thotë se Brovina ka pranuar se fotoja mund të jetë nga Iraku dhe për këtë fakt ndihet e shqetësuar.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Xhelal Sveçla ia ka kujtuar Brovinës se kushdo që ofron prova të rreme në bazë të kodit penal mund të dënohet me gjobë ose me burgim nga tre muaj deri në tre vjet. Ndërsa për të hënën është paralajmëruar një marsh protestues në mbrojtje të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Fotografia e publikuar dje dyshohet të jetë falsifikuar dhe një e ngjashme është gjetur në  faqe të huaja të internetit me përmbajtje pornografike. /ABC News Albania 24/7

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!