Presidenti serb Vuçiç ka folur më në fund për vizitën e tij gati të fshehtë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke u shprehur i zhgënjyer për rezultatin e takimeve, ku temë bisede ishte Kosova.
Në një intervistë të fundit për televizionin serb RTS, Presidenti Aleksandër Vuçiç u shpreh se ishte i pakënaqur me rezultatin e takimeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për Kosovën.
Ai shtoi se kishte pasur takime të vështira dhe të çuditshme tre ditët e fundit.
Aleksandër Vuçiç: “Ne nuk po negociojmë vetëm me shqiptarët, por dhe me ata që kanë krijuar një Kosovë të pavarur. Dhe kaq mund të them për këto takime”.
Vuçiç tha se takimin e fundit e kishte pasur me shefin e Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres.
Aleksandër Vuçiç: “Jam i kënaqur me punën dhe përpjekjet tona, por jo me rezultatet. Po shpresoja për më shumë mirëkuptim, dhe nuk jam i kënaqur nga ajo që mora. Kemi shumë kohë që flasin për të ardhmen e Serbisë dhe Kosovën. Po përpiqemi të gjejmë një zgjidhje, por pala shqiptare po bën punën e saj, dhe komuniteti ndërkombëtar të tijën. Nuk jam fare i kënaqur pasi fuqitë perëndimore janë të vendosura të ruajnë pavarësinë e Kosovës”.
Vuçiç tha se i kishte thënë Guterres se Serbia ishte gati për një kompromis, por jo për të sakrifikuar interesat e saj.
Aleksandër Vuçiç: “Në mënyrë që të përgatisim një platformë për qytetarët tanë kam nevojë për mbështetjen e komunitetit ndërkombëtar për diçka. Gjithsesi perëndimi në asnjë mënyrë nuk pranon të flasë rreth faktit se kujt i përket Kosova”.
Presidenti serb u shpreh se vendi i tij është gati për bisedime dhe kompromis për të zgjidhur problemin e Kosovës, por nuk do të pranojë të poshtërohet.
Aleksandër Vuçiç: “Për sa kohë jam Presidenti i Serbisë, asnjë nuk do e poshtërojë Serbinë, në një kohë që ne jemi të gatshëm për bisedime dhe kompromis”.
Ai theksoi se do të luftonte për Serbinë në Neë York, Bruksel, Londër, Berlin, Paris, por dhe në vendet që nuk e kanë njohur ende pavarësinë e Kosovës si Moska dhe Pekini.
Aleksandër Vuçiç: “U them gjithnjë përfaqësuesve perëndimorë, ju nuk jeni e gjithë bota, është dhe gjysma tjetër e botës që nuk e njeh Kosovën. Ju mund të thoni se Serbia nuk ka asgjë në dorë, ndoshta, por ne duam një kompromis. Jeni ju që duhet të vendosni nëse doni kompromis apo poshtërim”.
Presidenti përfundoi intervistën e tij duke thënë se shpresonte që bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë të kryeheshin vetëm mes dy palëve pa interesat e fuqive të tjera, pasi problemet do të zgjidheshin më lehtë në këtë mënyrë./abcnews.al