Kosova vështirësi ekonomike/ Rafuna: Qeveria Kurti nuk ka zbatuar asnjë plan ekonomik

schedule14:19 - 7 Janar, 2025

schedule 14:19 - 7 Janar, 2025

PRISHTINË- Gjendja e bizneseve në Kosovë është e vështirë, investimet kapitale që janë thelbësore për zhvillimin ekonomik nuk janë realizuar gjatë mandatit të kësaj qeverie dhe gjatë të paktën katër viteve te fundit nuk ka asnjë projekt konkret që mund të konsiderohet si sukses.

Kështu e sheh situatën ekonomike Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, duke theksuar se përkrahja e qeverisë për bizneset ka qenë e papërfillshme.

“Nuk është se ka pas ndonjë përkrahje për bizneset. Në qoftë se shohim në kuptimin e politikave fiskale, që rreth 4 apo 5 vite prej pandemisë, që nga ajo kohë nuk është bërë më asnjë freskim i politikave fiskale, përkundër që ka qenë kërkesa jonë që të ketë ende më shumë lirime, shkallëzim të TVSh-së, të ketë një reformim serish të TVSh-së, nuk kemi pas një transparencë, dialog sa i përket sjelljes së ligjeve…Ka mbizotëruar një pasiguri totale juridike sa i përket biznesit.”, tha ai.

Ai flet edhe për masat ndëshkuese të vendosura nga Bashkimi Evropian. Sipas tij, dështimi nga sanksionet nuk është vetëm në aspekt material, por edhe në kuptim të imazhit të vendit.

“Dëmtimi nuk është vetëm në aspekt material, por edhe në kuptimin e imazhit. Dhe kjo e ka rënduar edhe më shumë situatën sa i përket investimeve, dhe për qindjes së nivelit të zhvillimit ekonomik. Në qoftë se i përmbledhim shohim shpenzimi i pakët i investimeve kapitale nën masa ndëshkuese që nuk i kemi thithur minimumi 300 milionë që kanë qenë të parapara për projekte kapitale”, tha ai.

Bashkimi Evropian ka vendosur masa ndëshkuese ndaj Kosovës në qershor të vitit 2023 si rrjedhojë e zhvillimeve politike në veri të vendit.

Këto sanksione kanë hyrë në fuqi më 28 qershor 2023, duke përfshirë ne to edhe pezullimin e programit të fondeve për Kosovën, pezullimin e mbështetjes së vazhdueshme për prokurimin dhe nënshkrimin e kontratave, pezullimin e pjesëmarrjes në ngjarjet e nivelit të lartë si dhe pezullimin e vizitave dypalëshe./ abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!