Kosova vë Vuçiçin në lëvizje urgjente, mbledh Këshillin e Sigurisë: Çfarë ka shkelur Prishtina

schedule12:50 - 12 Maj, 2022

schedule 12:50 - 12 Maj, 2022

Pas aplikimit zyrtar të Kosovës për t’u bërë anëtare e Këshillit të Europës, presidenti serb, Aleksandër Vuçiç ka thirrur një takim të Këshillit të Sigurisë Kombëtare më 13 maj.

“Me këtë veprim, Prishtina ka shkelur edhe një marrëveshje që ka nënshkruar, e ajo është Marrëveshja e Uashingtonit. Ata e kanë shkelur brutalisht atë”, ka thënë Vuçiç.

Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar në shtator të vitit 2020 një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike, e njohur si Marrëveshja e Uashingtonit.

Me këtë marrëveshje, Kosova është pajtuar për një moratorium njëvjeçar mbi përpjekjet e saj për t’u anëtarësuar në organizata ndërkombëtare, ndërsa Serbia ka rënë dakord për një moratorium po ashtu njëvjeçar,  mbi fushatën e saj kundër njohjeve të Kosovës si shtet.

Lexo edhe: Vuçiç: Kosova sot aplikon për anëtarësim në Këshill të Evropës

Në bazë të Marrëveshjes së Uashingtonit, moratoriumet tashmë kanë skaduar, por Departamenti amerikan i Shtetit ka inkurajuar më herët Kosovën dhe Serbinë që t’i vazhdojnë ato për të mundësuar përparim në marrëdhëniet mes dy vendeve, shkruan REL.

“Ne nuk duhet të përfshihemi në urrejtje dhe të hyjmë në psikozë konflikti, por të ofrojmë përgjigje të fuqishme në mënyrë të përgjegjshme, racionale dhe serioze”, ka thënë Vuçiç.

Ai ka thënë se Serbia do të bëjë më të mirën për të mbrojtur shtetin.

Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, ka dorëzuar sot zyrtarisht kërkesën e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e  Europës,  në Strasburg të Francës.

Gërvalla njoftoi se nga sot fillojnë procedurat për shqyrtim të kërkesës nga ana e Këshillit, derisa tha se është optimiste që Kosova do të jetë anëtare e kësaj organizate të të drejtave të njeriut.

Dorëzimi i kërkesës nga Gërvalla erdhi pasi Qeveria e Kosovës miratoi sot në parim nismën për anëtarësimin e Kosovës në KE.

Lexo edhe: Cilat janë procedurat për pranimin në Këshillin e Europës? Kosova aplikoi sot

Kosova ka shpallur pavarësinë në vitin 2008, por nuk ka arritur ende të anëtarësohet në disa organizata të rëndësishme ndërkombëtare.

Ajo nuk është ende as anëtare e Bashkimit Evropian, as e Organizatës Botërore të Tregtisë, as e Organizatës Ndërkombëtare të Policisë Kriminale e të tjera.

Serbia ka qenë e angazhuar në fushatë për pengimin e Kosovës, së bashku me mbështetësen e saj kryesore në arenën ndërkombëtare, Rusinë.

Kosova, megjithatë, ka arritur të anëtarësohet në disa organizata ndërkombëtare – në mesin e tyre: Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Komiteti Olimpik, Federata Evropiane e Futbollit dhe Federata Botërore e Futbollit.

/abcnews.al/