Kosova tashmë ka ushtrinë e saj. Parlamenti i vendit miratoi me vota unanime nga të gjitha partitë shqiptare tre projektligjet për transformimin e forcës së sigurisë së Kosovës në Ushtri.
Projektligji i për Forcën e Shërbimit në Forcën Sigurisë së Kosovës, i fundit nga pakoja e projektligjeve, është votuar sot në lexim të dytë nga 107 deputetë. Të gjitha votat kanë qenë pro, ndërsa asnjë deputet kundër.
Deputetët e Kuvendit të KOSOVËS votuan përfundimisht krijimin e ushtrisë sipas ligjit, në pamundësi që transformimi i forcave të sigurisë të bëhej me ndryshime kushtetuese. Kjo sepse përfaqësuesit serbë në Kuvend kundërshtuan kategorikisht formimin e ushtrisë.
Projektligji i parë, për të cilin votuan 106 pro dhe një abstenim, ktheu Ministrinë e FSK’së në ministri të Mbrojtës, e tashmë Rrustem Berisha bëhet ministri më i ri i ekzekutivit Haradinaj.
Miratimi për krijimin e ushtrisë u shoqërua nga një duartrokitje e gjatë në sallën e parlamentit me deputetët që u ngritën në këmbë ndërsa në sfond u intonua himni.
Pas disa përpjekjeve të dështuara për të formuar ushtrinë, së fundmi, Qeveria e Kosovës realizoi transformimin e FSK-së në ushtri.
Kjo nismë erdhi pas kryeministri Ramush Haradinaj u shpreh se kishte marrë përkrahjen nga Sekretari amerikan e Mbrojtjes, Xhejms Mattis, që ushtria të formohej sipas ligjit.
Por Kosova, e cila u bë me ushtri pas 10 vjetësh pavarësi, nuk ka marrë përkrahjen nga të gjithë aleatët e saj. Shumë shtete, përfshirë edhe sekretarin e Përgjithshëm të NATO’s, Jens Stoltenberg, i kanë kërkuar Kosovës që të mos nxitohej dhe të priste që ushtria të formohej me ndryshime kushtetuese. /abcnews.al