Kosova do të përballet me Moldavinë sonte, në takimin e parë të Nations League. Dardanët u ngjitën në Ligën C dhe tani rivalët janë më të fortë, por skuadra e Bernard Challandes e ka treguar se mund të ndeshet me këdo si e barabartë.
Trajneri zviceran ka menduar edhe për formacionin që do të zbresë në fusha prej orës 20:45, në stadiumin “Ennio Tardini” të Parmës. Në portë Arianit Muriq është i padiskutueshëm, sikurse edhe në qendër të mbrojtjes Aliti dhe Rrahmani.
Mërgim Vojvoda dhe Benjamin Kololli janë favoritë për krahët e prapavijës, kurse në qendër të mesfushës janë Hekuran Kryeziu dhe Herolind Shala. Pritet të kthehet në rolin e titullarit edhe Celina, si fantazist.
Ndryshim në sulm, me Milot Rashicën që trajneri Challandes e mendon në majë të repartit të avancuar. Me Zenelin që ende nuk është në maksimumin e tij, Hadërgjonaj do të shihet si sulmues krahu në të djathtë, kurse Valon Berisha në të majtë.
KOSOVA, formacioni i mundshëm (4-2-3-1): Muriq – Vojvoda, Rrahmani, Aliti, Kololli – Kryeziu, Shala – Hadërgjonaj, Celina, Berisha – Rashica. /abcnews.al