Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla ka njoftuar se sot është nënshkruar marrëveshja e tretë me EUROPOL, e cila definon procedurat e shkëmbimit dhe mbrojtjes së informacioneve.
Në një postim në Facebook, Sveçla ka bërë të ditur se para disa ditësh kishte pranuar një letër falënderimi nga Drejtoresha Ekzekutive e EUROPOL, Catherine de Bolle.
“Para disa ditësh kam pranuar një letër falënderimi nga Drejtoresha Ekzekutive e EUROPOL znj. Catherine de Bolle për gadishmërinë për të bashkëpunuar dhe vendosmërinë tonë për të vepruar pa kompromis ndaj krimit dhe korrupsionit. Sot, jam njoftuar që është nënshkruar marrëveshja e tretë me EUROPOL, nga znj. De Bolle, që definon procedurat e shkëmbimit dhe mbrojtjes së informacioneve”, ka shkruar Sveçla në Facebook.
Ministri Sveçla ka shtuar se kjo marrëveshje do ta thellojë edhe më shumë bashkëpunimin e Kosovës me EUROPOL.
“Kjo marrëveshje do të thellojë bashkëpunimin tonë me EUROPOL, do të garantojë shtetndërtim me hapa të sigurtë e do të kontribuoj në synimet tona të përbashkëta për sundim të ligjit”, ka shkruar Sveçla. /Express