Zëdhënësi i PSD-së, Bardh Ahmeti, në një intervistë për emisionin “Ballkan Update”, komentoi vendimin e KQZ-së në Kosovë për të pezulluar këtë parti, me argumentin se nuk ka mbajtur kuvendin zgjedhor sipas afatit ligjor. Ai tha se KQZ ka qenë njoftuar paraprakisht për mbajtjen e Kuvendit në Janar.
“Paraprakisht kemi njoftuar KQZ para se me marrë këtë vendim se PSD do të mbajë Kuvendin Zgjedhor me 28 Janar. Kanë qenë të njoftuar ndërkohë që kanë vendosur me marrë një vendim përkundër lajmërimit se ka pasur raste të ndryshme ku partitë politike nuk i kanë mbajtur në datat e caktuara. Këtë e kemi bërë për shkak të festave të fundvitit dhe kemi kërkuar tolerancë por ky institucion është i kapur. Në krye të KQZ ka qenë Valdete Daka dhe në secilin proces zgjedhor është lakmuar nga krejt spektri ndërkombëtar. Si kanë ardhur në pushtet e kanë larguar këtë kryetare për të vendosur dikë që iu përshtatet këtyre.”, u shpreh Ahmeti.
Më tej, ai u ndal edhe tek mundësia e zgjedhjeve të reja në 2024. Ahmeti theksoi për gazetaren Linda Karadaku se nëse qeveria Kurti vendos të shkojë në zgjedhje do të bëhej për shkak të asociacionit.
“Është e qartë se arsyeja e vetme është asociacioni. Po kërkojnë me fituar një mandat tjetër 4 vjeçar dhe pas asaj me themeluar asociacionin. Ka mbetur vetëm drafti se marrëveshjen e Brukselit tashmë e kanë pranuar. Lajmi i keq në këtë është se në marrëveshje të tilla, zakonisht bëhen referendume për të pyetur popullin nëse janë dakord me këtë, por përkundër VV ka bërë protesta me mijëra qytetarë dhe ku aktivistë tanë kanë vdekur nëpër burgje ndërkohë që tani i vetmi projekt që shtyn përpara këtë pushtet është asociacioni. Lajmi i keq është se kanë kanë zgjedhur zgjedhje të reja dhe jo referendum. Në sondazhin e fundit, ka dalë që janë bërë dy pyetje sa janë qytetarët për asociacionin dhe sa për shkëmbimin e territoreve dhe rezultati është 50.5 për qind për asociacionin dhe 49.5 për shkëmbimin e territoreve. Krejt partitë parlamentare kanë qenë për asociacionin ndërkohë që shkëmbimi, përkundër që nuk ka mbështetje, po na del që është gjysma e popullit si opsion më të mirë. Këtu është dashur për një referendum dhe populli të pyet se cila është zgjedhja më e mirë për ta. Është një hile e madhe dhe Konjufca njihet si amortizator i pushtetit. Sa herë që pushteti është në një hall të madh, Konjucka është duke u munduar me arsyetuar.”, shtoi ai./abcnews.al