Zgjedhjet e 28 dhjetorit dukej se ishin epilog i një krize politike një vjeçare në Kosovë, por realiteti në vend është ndryshe…
Me vendimin e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve për rinumërim procesi zgjedhor u kthye disa hapa prapa, pas zbulimeve për mospërputhje serioze në votat e kandidatëve për deputet.
Vendimi i marrë më 19 janar pasoi rinumërimin e pjesshëm nga java e kaluar, gjatë të cilit u evidentuan shkelje dhe dallime të theksuara, bashkangjitur këtu edhe thirrjet e vazhdueshme të partive politike dhe organizatave të shoqërisë civile për një rinumërim tërësor të votave.
Sipas ekspertëve, procesi i rinumërimit të plotë të votave të zgjedhjeve të 28 dhjetorit do të marrë edhe dy javë të tjera kohë, ndërsa pas kësaj do të rrjedhin afatet e ankesave që në total mund të zgjasin edhe dy javë të tjera.
Në skenarin më të mirë certifikimi i rezultateve mund të ndodhë gjatë mesit të shkurtit e në rastin më të keq në fund të muajit apo në fillim të marsit –kjo në varësi të ankesave.
Por 4 marsi është afati i fundit për zgjedhjen e kreut të shtetit, ç’ka nuk përjashton mundësinë që vendi të përballet me krizë të re.
Sipas Kushtetutës, presidenti i vendit duhet të zgjidhet jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual që është 4 prilli.
Një tjetër problem i hapur është ajo e buxhetit për vitin 2026, i cili pa parlament nuk miratohet dot.
Vendi qe prej një vit është pa institucione të reja.
Kosova nuk ka buxhet të miratuar për vitin 2026 dhe për pak javë përfundon edhe mandati i presidentes.
Procesi i rinumërimit ndërkohë vijon për 2557 qëndra votimi në 38 komuna të vendit…. / abcnews.al/


