Kosova merr kontrollin në veri/ Sveçla: Kemi së paku tre sulmues të vrarë dhe gjashtë të arrestuar

schedule19:33 - 24 Shtator, 2023

schedule 19:33 - 24 Shtator, 2023

KOSOVË– Njësia Speciale e Kosovës ka përfunduar aksioni në Manastir të Banjskës, duke arrestuar sulmuesit serbë, të cilët janë dërguar në stacionin policor në jug.

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla ka thënë se Policia ka zbuluar një sasi të jashtëzakonshme armatimi të kalibrit të rëndë. Ai u shpreh se janë nxjerrë 30 serbët e ngujuar nga Manastiri, ndërsa shtoi se ishin jashtëzakonisht të armatosur.

Ai tha se së paku tre prej personave të përfshirë në këtë sulm ndaj Policisë së Kosovës janë ekzekutuar, kurse gjashtë të tjerë janë vënë në pranga.

“Ne kemi 6 të arrestuar, dy prej tyre të plagosur me uniformë të armatosur dhe katër të tjerë, që ishin në mbështetje të operacionit me radiolidhje. Së paku, tre sulmues të vrarë për të cilët janë duke u kryer procedurat e identifikimit”, tha ai për gazetarët.

Duke folur për gazetarët nga pjesa veriore e vendit, Sveçla u shpreh se aksioni në kërkim të sulmuesve të Policisë së Kosovës është në vijim.

“I gjithë territori i vendit është vendosur nën kontroll”, shtoi ai. Si pasojë e shkëmbimeve të zjarrit një pjesëtar i Policisë së Kosovës humbi jetën dhe një tjetër u plagos, por fatmirësisht, siç konfirmojnë mjekët ndodhet jashtë rrezikut për jetën./n.m.abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!