Kosova i përgjigjet pozitivisht Serbisë për dhënie informacionesh mbi hetimin për Ivanoviç

schedule19:21 - 22 Janar, 2018

schedule 19:21 - 22 Janar, 2018

Kosova i përgjigjet pozitivisht kërkesës së Serbisë për të hetuar bashkarisht vrasjen e Ivanoviç. Konfirmimi ka ardhur përmes një letre zyrtare, në të cilën Serbisë i kërkohet bashkëpunim ligjor për makinën e djegur, pas vrasjes së Ivanoviç. Por ministri i Jashtëm Daçiç ka deklaruar se pa mbërritur informacionet mbi hetimin, dialogu me Kosovën, nuk do rifillojë.

Kosova i ka ofruar bashkëpunim autoriteteve serbe në shkëmbimin e informacioneve lidhur me hetimet per vrasjen e politikanit serb Oliver Ivanoviç. Këtë e ka konfirmuar qeveria e Serbisë, e cila njofton se ka marrë një letër zyrtare përmes EULEX-it nga Ministria e Drejtësisë e Kosovës.

“Prokuroria Themelore në Mitrovicë, Departamenti për Krime të Rënda, shpreh gatishmërinë që Prokurorisë për Krimin e Organizuar t’i ofrojë të gjitha të dhënat që do të ketë, në mënyrë që me koordinim të udhëhiqet hetimi lidhur më vrasjen e Oliver Ivanoviç, që sa më parë të zbardhen autorët e kësaj vepre penale”, thuhet në letrën e Ministrisë së Drejtësisë së Kosovës, siç njofton Ministria e Drejtësisë së Serbisë.

Po sipas njoftimit të qeverisë së Beogradit, këto dëshmi do t’i dorëzohen prokurorisë, sapo të jenë mbledhur.

“Në përgjigje thuhet se raporti nga kqyrja e vendit të krimit, si dhe të dhënat e tjera të mbledhura, do t’i dorëzohen me urgjencë Prokurorisë për Krimin e Organizuar”, thuhet në reagimin e Ministrisë serbe te Drejtësisë.
Në njoftim sqarohet se Prokurorisë se Beogradit i është kërkuar bashkëpunim ligjor dhe dhënien e informacioneve lidhur me makinën e djegur te Ivanoviçit, të cilën e ka zbuluar njësia hetimore e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë.

Ministria serbe ka sqaruar se kërkesën e prokurorisë në Mitrovicë ia ka adresuar Prokurorisë për Krimin e Organizuar për procedurë të mëtejme.
Zv/kryeministri i parë dhe ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiç, ka deklaruar gjatë një dreke me ambasadorë të BE-së në Beograd, se dialogu me Prishtinën do rifillojë sapo Serbia të marrë informacionin konkret mbi vrasjen e Ivanoviç.

Ndërsa gjatë një interviste për televizionin publik të krahinës së Vojvodinës, Daçiç ka thënë se Serbia vazhdon të kërkojë të jetë pjesë e hetimeve për vrasjen e Oliver Ivanoviç pavarësisht se Prokuroria e Kosovës ka ofruar shkëmbimin e informacioneve me prokurorinë serbe.

Ai ka theksuar se Kosova nuk mund të bëhet anëtare e Kombeve të Bashkuara në rast se ky nuk do të jetë qëndrim i Serbisë. Daçiç i ka quajtur përralla qëndrimet e zyrtarëve të BE-së se viti 2018 është më i rëndësishmi për të ardhmen e Kosovës, duke vlerësuar do të ishte e mrekullueshme të vihej deri tek zgjidhja përfundimtare, por sipas tij, kjo tani është joreale./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!