Analistja Aferdita Maliqi, në një prononcim për Balkan Update, deklaroi se lista e Vetëvendosjes ishte pa ndryshime të mëdha, me kryetarin e Kuvendit të renditur jashtë 20-shes së parë. Ajo theksoi se PDK ka ndërtuar një 10-she të balancuar rajonalisht, duke synuar rritjen e peshës elektorale në gjithë Kosovën. Sipas saj, LDK ka vendosur në krye profesionistët dhe figurat e konsoliduara, përfshirë Abdulla Hotin. Maliqi zbuloi se Fatmir Limaj kishte kërkuar të bashkohej me listën e PDK-së, por kjo nuk u pranua.
“Është mbyllur procesi i dorëzimit të listave në KQZ. Lista e VV-së nuk ka pasur befasi; kryetari i Kuvendit nga VV është në numrin 22, pra nuk është as në 20-shen e parë. Andi Hoti është futur në listën e VV-së, ndërkohë që më herët ka qenë deputet i PDK-së. Në Vetëvendosje nuk pati risi të mëdha.
Në listën e PDK-së, në 10-shen e parë ka pasur përfshirje më të mëdha rajonale. Bedri Hamza u ka dhënë rëndësi figurave nga të gjitha anët e Kosovës, në mënyrë që para elektoratit të paraqiten kandidatë me peshë më të madhe nga gjithë vendi. Në 10-shen e parë në Prishtinë janë vendosur emrat më të rëndësishëm.
LDK është treguar e kujdesshme që në 10-shen e parë të vendoste profesionistët dhe figurat që kanë qenë më të rëndësishmet, si rasti i Abdulla Hotit.
Ka pasur një përpjekje të Fatmir Limajt për t’iu bashkuar listës së PDK-së, por kjo nuk ka ndodhur. Sipas analistes Aferdita Maliqi, Bedri Hamza ka strategjinë e vet, ndoshta edhe për shkak të së kaluarës së Limajt, ku është humbur besimi dhe është vlerësuar se përfshirja e tij do t’i privonte të tjerët nga marrja e më shumë mandateve deputetësh në PDK.” / abcnews.al /

