Duhej ta fitonte këtë derbi.
Edhe pse përballë nuk pati me të vërtetë një boksiere serbe, sërish Donjeta Krasniqi u ndesh me përfaqësuesen e Serbisë në finalen e garave të boksit për peshën deri 60 kg në Lojrat Mesdhetare.
Në ringun e Tarantos në Itali, vajza 27-vjeçare nga Prishtina mposhti bindshëm rusen Kristina Kuluhova, madje pa u mbyllur seti I dytë.
Siç e tha edhe vetë pas suksesit, Krasniqi priti një finale me 3 raunde, por epërsia e saj ishte e madhe.
Fitoi të parin, sipas vlerësimit të 4 nga 5 gjyqtarët, ndërsa në të dytin I shkaktoi dëmtim mbi sy boksieres së Serbisë.
Kjo bëri që arbitri ta mbyllte ndeshjen për të mos rrezikuar shëndetin e Kuluhovës.
Kjo ishte medalja e parë e Kosovës në këto Lojra Mesdhetare, dhe për fat të mirë flitet për të artën.
Në ceremoninë e medaljeve, Komiteti Olimpik i Serbisë zgjodhi që sportistja e saj të mos dilte për të marrë argjendin, një bojkot që mund të ketë lidhje me mosnjohjen e Kosovës si shtet, ndonëse boksierja serbe e zhvilloi ndeshjen ndaj Donjetës.
Shqipëria, ndërkaq, ka fituar 3 medalje në Taranto, një të artë, një argjend dhe një bronz.
Renditjen e kryeson Italia me 110 medalje, e ndjekur nga Turqia dhe Greqia.

