Kosova dyshon se Serbia po riinstalon policinë në veri

schedule18:49 - 12 Maj, 2023

schedule 18:49 - 12 Maj, 2023

Të dhënat e një institucioni të sigurisë në Kosovë tregojnë se Serbia është duke i rihapur zyrat e Ministrisë së Punëve të Brendshme të saj në veri të Kosovës.

Sipas të dhënave të siguruara nga Radio Evropa e Lirë, në katër komuna të veriut të Kosovës, me shumicë serbe, që nga 11 maji i këtij viti janë vendosur zyrat e MPB-së së Serbisë, të cilat kanë qenë funksionale deri në vitin 2013.

Sipas të njëjtave të dhëna, selia kryesore e MPB-së do të jetë në Zveçan, afër shkollës fillore “Vuk Karaxhiq”.

Radio Evropa e Lirë nuk ka mundur ta konfirmojë këtë informacion në terren e as nga institucionet serbe.

Serbia kishte strukturat e saj të sigurisë në Mitrovicën e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq deri në vitin 2013. Pas marrëveshjes së arritur në dialogun e Brukselit, ato u integruan në institucionet e Kosovës, kryesisht në Policinë e Kosovës.

Mirëpo, pothuajse të gjithë pjesëtarët e Policisë së Kosovës nga komuniteti serb dhanë dorëheqje në fund të vitit të kaluar, duke kundërshtuar vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e veturave që qarkullojnë në veri me tabela që i lëshon Serbia.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!