“Kosova dhe Serbia të ulin tensionet”, DASH: Diskutimet për dinarin duhet të vazhdojnë me urgjencë

schedule21:27 - 19 Mars, 2024

schedule 21:27 - 19 Mars, 2024

Zëvendës zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit Vedant Patel deklaroi se diskutimet për dinarin duhet të vazhdojnë me urgjencë.

Ai e ka bërë këtë deklaratë kur është pyetur në një konferencë për media lidhur me deklaratën e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, të bërë një ditë më parë, se është arritur një pjesë e pajtueshmërisë për propozimin amerikan për punën e dinarit.

Zyrtari amerikan Patel, e ka përsëritur sërish shqetësimin amerikan për situatën e krijuar dhe u ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që t’i ulin tensionet.

Sipas tij, dialogu Kosovë – Serbi, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian në Bruksel është kanali për zgjidhje të çështjeve sikurse dinari.

“Bisedimet në Bruksel i mirëpresim. Janë zhvilluar në kuadër të dialogut të lehtësuar prej BE-së, sot, dhe aty përfshihet diskutimi për rregulloren e re të BQK-së për valutën, dhe ne besojmë që këto bisedime duhet të zhvillohen me urgjencë”, ka thënë Patel.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë shprehur shqetësimin e tyre për vendimin e autoriteteve të Kosovës që të zbatojnë prej 1 shkurtit rregulloren e re të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) e cila përcakton euron si valutën e vetme për pagesa me para të gatshme.

Kështu, serbëve të Kosovës u është pamundësuar përdorimi i dinarit serb. Serbia deklaron se ndan ndihmë në vlerë të miliona eurove për komunitetin serb në Kosovë dhe ua paguan atyre rrogat, pensionet dhe ndihmën shtesë.