Në këtë ditë të shënuar për Kosovën, ABC News ishte në Prizren, aty ku mbizotëron një atmosferë festive. U takua me banorë e mysafirë që kishin shkuar posaçërisht për 11-vjetorin e pavarësisë. Të shumtë ishin ata që festonin, por më i madh ishte numri i personave që nxitonin për në punë.
Prizreni është zbukuar për këtë festë. Pak freskët dhe njerëzit nëpër rrugë janë të paktë. 11 vite nga shpallja e Pavarësisë. Por për shumë banorë të këtij qyteti të bukur është ditë pune.
Pyetje: Si është Kosova sot në këtë 11-vjetor të Pavarësisë?
Qytetari: Kurrgjo s’është arrit. Katastrofë.
Pyetje: Pse?
Qytetari: Duhet të shkoj se jam për punë.
Pyetje: Edhe sot punon që është dita e Pavarësisë?
Qytetari: Po.
Për brezin që i kanë kaluar të 50-at sigurisht janë kohë më të mira, por me vështirësi ekonomike.
“Ne i takojmë pak gjeneratës më të vjetër dhe jemi mësuar me pas punë tamam. Tash na mungojnë pak ato”.
Në Prizren gjen shumë edhe qytetarë të Shqipërisë. Bora në Brezovicë i ka joshuar të qëndrojnë në këtë territor. Kosova pas 11 vitesh ka arritur të marrë njohjen e 108 shteteve të botës, por ende 4 shtete të Bashkimit Europian nuk e kanë njohur.
I duhen akoma njohje për t’u bërë anëtare e Kombeve të Bashkuara, por ka arritur të bëhet anëtare e disa organizmave ndërkombëtare duke u përfaqësuar si shtet në shumë aktivitete ndërkombëtare kulturore e sportive./abcnews.al