Bes Kallaku iu rikthye ekranit pas një pauze të gjatë me spektaklin më të ri të humorit në ABC, “Kosherja” që startoi të dielën me 14 Mars. Aktori i humorit ishte i ftuar këtë të mërkurë në emisionin “Abc-ja e mëngjesit”, ku dha më tepër detaje se si lindi bashkëpunimi me Altin Bashën, regjisorin e spektaklit, për t’u bërë bashkë në një projekt kaq të rëndësishëm.
“Angazhimi tek “Kosherja” është një angazhim jo i vogël, kështu që kam menjanuar disa punë të tjera për t’ju përkushtuar Kosheres. Kam përshtypjen që Kosherja, përveçse shpia e re humorit, është cikli i ri i humorit.”, tha Besi. “Në një bisedë para Kosheres me Altinin, kisha disa kushte të miat dhe njëra prej tyre ishte të isha moderator i spektaklit. Kam qenë në bisedime para se Altini të ikte nga Portokallia.
Mendoj se asgjë nuk ndodh rastësisht në jetë dhe rastësia është mënyra sesi Zoti do të rrijë anonim. Erdhën të gjitha në një mënyrë të tillë që të vinte dhe të piqej derisa unë dhe Altini të bashkoheshim diku tjetër, me kushtet e mia që i kisha kërkuar përpara.“, shtoi më tej Kallaku.
Besi rrëfeu se nuk e kishte marrë malli vetëm për publikun, por gjithashtu dhe për rolet ikonike të tij, siç është dhe Gjini. “Më kishte marrë malli me të vërtetë si Gjin se përveçse ishte Gjini Silencio, kisha qenë dhe unë me të”, shtoi aktori i mirënjohur. /abcnews.al