“Kosherja” është spektakli më i ri që fillon të dielën në 20:30 në “ABC” me regji të Altin Bashës. Tashmë është e ditur se ai bashkë me bashkëshorten e tij, Iliriana Basha, punojnë përkrah njëri-tjetrit, gjë të cilën e shohim edhe te “Kosherja”.
Por si erdhi vendimi për krijimin e diçkaje nga e para? Sa e lehtë dhe e vështirë ishte për regjisorin dhe kostumografen. Iliriana tha në “Abc e pasdites” se që në fillim ka qenë optimiste dhe pro për të filluar diçka nga e para, pasi mendon se janë në pikun e krijimtarisë së tyre.
“Pjesa që vendosëm të linim një pjesë të jetës sonë dhe t’ia fillonim nga fillimi, unë në këtë anë isha shumë më optimiste dhe shumë më pro për një fillim të ri, ndonëse nuk e kemi atë moshë që kemi pasur para 17 viteve kur nisëm ‘Portokallinë’. Mirëpo mendoj që ne jemi në pikun e prodhimit, dhe mendoj që e kemi dhe një 15 vjeçar tjetër shumë aktiv. Dhe isha shumë pro. Altini sigurisht e kishte pak më të vështirë se unë’ – tha Iliriana.
“Portokallia ishte projekt i jetës dhe unë nuk u largova me dëshirë nga Top Channel. Detyra jonë si regjisor është të krijojmë brande, të krijojmë shfaqje teatrore, të krijojmë projekte, kështu që në këtë kuptim nuk kisha shumë merakun nëse do të krijoja një projekt të suksesshëm apo jo sepse për këtë mendoj që kam fituar eksperiencën e mjaftueshme.
Çështja ishte tek një partneritet i sigurt, serioz që t’i përgjigjej të gjitha kërkesave të një emisioni të kësaj natyre që ka shumë elemente. Në fakt është vlerë që ne arritëm të gjenim një partneritet që na sigurin të gjithë mbështetjen dhe lirinë e duhur për të bërë gjërat siç i mendojmë ne”, tha Basha.
Altini i tregoi Ermalit se në këtë sfidë donte të afronte shumë të rinj e zotohet se shumë shpejt ata do të jenë yje të ekranit. Na zbuloi edhe emra surprize ‘Big’ si Olta Daku, Eriona Kakeli, Besmir Bitraku por… sipas regjisorit prisni edhe aktorë fëmijë. Nga ana tjetër Iliriana tha se e ka parë Altinin të qesh shumë në provat e fundit, çka e siguron se do të kënaqemi të dielën në ABC. /abcnews.al