Shqipëria ka humbur pikë në raportin për korrupsionin të hartuar nga Amnesty International për vitin 2017. Në renditje, vendi ynë lë pas vetëm Bosnje e Hercegovinën dhe Maqedoninë.
Shqipëria ka bërë hapa pas në luftën kundër korrupsionit, duke humbur një pikë në raportin për perceptimin të hartuar nga Amnesty International për vitin 2017. Raporti rendit 180 vende dhe territore, për vlerësimin e të cilave përdoret një shkallë nga zero në 100, me shifrën e parë që tregon një nivel alarmant të fenomenit dhe e dyta gjendjen më pozitive. Në tre vendet e para të klasifikimit ndodhen Zelanda e Re, Danimarka dhe Finlanda, me vlerësimet respektive 89, 88 dhe 85 pikë. Sa i takon Shqipërisë, ajo renditet në vendin e 91-të me 38 pikë, më keq se Senegali, Burkina Faso dhe Tunizia.
Më të mira rezultojnë pozitat e Kosovës, në vendin e 85-të, me 39 pikë. Ndërsa në nivel rajonal më mirë pozicionohet Kroacia, në vendin e 57-të, e ndjekur nga Bullgaria dhe Serbia, përkatësisht në vendet 71 dhe 77. Dhjetëshja e parë e renditjes plotësohet nga Norvegjia, Zvicra, Singapori, Suedia, Kanadaja, Luksemburgu dhe Holanda. Mbretëria e Bashkuar dhe Gjermania janë e njëmbëdhjeta dhe e dymbëdhjeta. Ndërkohë, Siria, Sudani i Jugut dhe Somalia renditen të fundit, me vlerësimet respektive 14, 12 dhe 9. Analiza të mëtejshme tregojnë se vendet me më pak mbrojtje për shtypin dhe organizatat joqeveritare janë më të prirurat për të qenë shtetet me nivelin më të lartë të korrupsionit. Çdo javë, një gazetar vritet në një vend me korrupsion të lartë. Analiza, që përfshin të dhëna nga Komisioni për Mbrojtjen e Gazetarëve, tregon se në 6 vitet e fundit të paktën 9 në 10 gazetarë u vranë në vende me nivelin e vlerësimit 45, ose më të ulët./abcnews.al