Korrupsioni/Llallës i ndalohet hyrja në SHBA

schedule14:38 - 15 Shkurt, 2018

schedule 14:38 - 15 Shkurt, 2018

Departamenti Amerikan i Shtetit i ka ndaluar hyrjen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla. Vendimi është publikuar një ditë më parë në faqen zyrtare të DASH, ndërsa masa e ndalimit është miratuar nga Sekretari i Shtetit, Rex Tillerson.

Ish-kryeprokurori i Shqipërisë Adriatik Llalla i ndalohet hyrja në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Vendimi i Departamentit të Shtetit u bë publik të mërkurën.

Në të theksohet se Sekretari i Shtetit Rex Tillerson, e miratoi masën e ndalimit për shkak të dyshimit të përfshirjes së ish zyrtarit shqiptar në raste të mëdha korrupsioni.

Ligjet amerikane parashikojnë që në rastet kur ka informacione të besueshme se zyrtarë të huaj përfshihen në raste madhore korrupsioni, ose në shkelje të rënda të të drejtave të njeriut, këtyre individëve dhe familjes së tyre të afërt, u ndalohet hyrja në Shtetet e Bashkuara. Ligji po ashtu parashikon që Sekretari i Shtetit ka të drejtë që sanksionet ndaj këtyre individëve dhe familjeve të tyre, t’i miratojë privatisht ose publikisht. Përveç zotit Llalla, Sekretari Tillerson ka miratur ndalimin e hyrjes në Amerikë edhe të bashkëshortes së tij Ardjana Llalla, të vajzës Eni Llalla dhe një fëmije tjetër të tij, që nuk ka shtetësinë amerikane. Ndërkohë që një vit më parë, ish-kryeprokurorit dhe bashkëshortes së tij iu anullua viza diplomatike. Së bashku me ta, viza iu anullua edhe disa prokurorëve dhe gjyqtarëve.

Menjëherë pas publikimit të lajmit, ka ardhur dhe reagimi i Ambasadës Amerikane në Tiranë. Ambasada ka publikuar në faqen e saj në “Facebook” njoftimin e Departamentit të Shtetit, ku thuhet se i është ndaluar hyrja në SHBA ishkryeprokurorit Adriatik Llalla dhe familjes së tij.

Ndërkohë, vetëm pak ditë më parë, ish-kryeprokurori Adriatik Llalla ishte dorëhequr nga e drejta për të qenë gjyqtar i Gjykatës së Apelit, të drejtë të cilën ia njeh ligji për t’u rikthyer në detyrën që ka mbajtur më parë. Llalla, përmes një kërkese drejtuar organeve të Vetingut, ka njoftuar dorëheqjen nga sistemi i drejtësisë, ndërsa nuk janë të qarta motivet e këtij vendimi./abcnews.al

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!