Sondazh

15 vite nga vrasjet në Bulevard, mendoni do ketë drejtësi për 21 janarin?

Loading ... Loading ...
 

“Korrupsioni i lartë”/ Menduh Thaçi: Pas zgjedhjeve, BE e DASH duhet të flasin me qeverinë për rishkeljen e të drejtave të shqiptarëve

schedule20:15 - 23 Shtator, 2025

schedule 20:15 - 23 Shtator, 2025

Në emisionin “Real Story” në ABC News, Menduh Thaçi foli për arsimin dhe përfaqësimin e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Gjatë fjalës së tij ai tha se largimi i shqiptarëve prej Maqedonisë së Veriut, varfërimi i tyre dhe shkatërrimi i vlerave bëri siç tha ai që PDSH të futet në një betejë të pabarabartë.

Gjatë kësaj interviste ai u shpreh me shpresën që pas këtyre zgjedhjeve bashkësia ndërkombëtare, kryesisht Bashkimi Europian dhe DASH do të bisedojnë për procesin integrues dhe do të flasin seriozisht me qeverinë për rishkeljen e të drejtave të shqiptarëve.

Intervista;



Sokol Balla: Arsimit shqip po thua?

Menduh Thaçi: Po! Një numër i madh i drejtuesve të institucioneve arsimore, duke nisur prej universitetit të shkollave të tjera, janë me diploma të dyshimta dhe kjo pastaj po rezulton me një sistem kadrovi që nxjerr për të funksionuar institucionet me militantë partiakë që nuk kanë njohurinë elementare të funksionimit të shtetit. Kjo sjell me vete edhe elementin kryesor fukarallëkun. Dhe largimi i shqiptarëve prej Maqedonisë, varfërimi i tyre, shkatërrimi i sistemit të vlerave e bëri të pamundur këtë herë që PDSH të futet në një betejë të barabartë, është e vështirë t’i bindësh njerëzit që unë sot kur them para jush një numër i madh i drejtuesve të institucioneve janë me diploma të blera ata idhnohen. Ata angazhohen politikisht që kjo parti asnjëherë të mos ketë sukses. Nga ana tjetër kur kemi një varfëri të madhe, sistemi i blerjes së votës është shumë efektiv por jam i vetëdijshëm se edhe për ty edhe për opinionin kur flas kështu duket se i ekzagjeroj këto gjëra se këto fenomene mund të ekzistojnë edhe në Shqipëri.

Sokol Balla: Jo një person që thotë unë nuk marr pjesë në zgjedhje, kuptohet që gjërat që thotë i thotë nga baza pak më .. të qeta, për sa kohë nuk do të merrni pjesë në zgjedhje.

Menduh Thaçi: Edhe në Shqipëri edhe në Kosovë, ekziston ky fenomen. Ekzistojnë këto fenomene negative, dhe degjenerative. Çdo gjë që është degjenerative për shqiptarët në Maqedoni stimulohet, dyfishohet nga ana e maqedonasve, përmes një seleksionimi të dyfishtë dhe fjalia që duhet të përdoret para bashkësisë ndërkombëtare, kur ata kërkojnë një barazi një përfaqësim të drejtë, nuk kanë shqiptarët. Dhe ne të gjithë po i futemi kritereve dhe standardeve të Bashkimit Europian, që është sistemi i testit dhe në ato teste, shumica e kuadrove shqiptare apo e kuadrove të falsifikuara të kohës së pushtetit të z.Ahmeti nuk i kalojnë këto teste. Me një fjalë, unë e vlerësoj dhe partia ime e vlerëson se çështja e shqiptarëve të Maqedonisë nuk zgjidhet përmes zgjedhjeve administrative se zgjedhjet lokale edhe ashtu janë administrative, dhe përfundimisht kjo qeveri, me një arrogancë të paparë këtë herë doli se tha ne do mbështesim partnerin tonë VLEN, që është në qeverisje në pushtetin lokal, kështu që gara në 90% të komunave bëhet e pakuptimtë. Se maqedonasit në zonat urbane të shqiptarëve, minimumin e kanë 30-35-40 përqind …

Sokol Balla: Pra, ata midis Ali Ahmetit dhe VLEN do preferonin VLEN?

Menduh Thaçi: Midis një shqiptari të tyre, dhe gjithkujt tjetër..

Sokol Balla: Shprehje e rëndë kjo që thatë ‘një shqiptari të tyre’..

Menduh Thaçi: Po ‘një shqiptari të tyre’, sepse seleksionimi negativ i dyfishtë është ky. Shqipëria, Kosova dhe vende të tjera kanë probleme me seleksionimin partiak. Partia që është në pushtet.. ne e kemi me dy seleksionime negative, një seleksionimi partiak dhe e dyta seleksionimi i të ‘zotit të shtëpisë’, dhe ne erdhëm në përfundimin se më mirë ta refuzojmë këtë proces të lëmë një deriçkë të hapur, të reagimit politik të arsyeshëm të shqiptarëve të Maqedonisë dhe të kemi shpresë se pas këtyre zgjedhjeve bashkësia ndërkombëtare, kryesisht Bashkimi Europian dhe DASH do të aterojnë në Maqedoni për ta debllokuar procesin integrues dhe për të folur me qeverinë seriozisht për rishkeljen e të drejtave të shqiptarëve. Ne ndoshta kjo është pretencioze, ne deshëm të jemi ishulli ku do të aterojë pas këtyre zgjedhjeve bashkësia ndërkombëtare që të bëjë debllokimin e procesit integrues dhe të fillojë ai përmirësimi i vërtetë i të drejtave të shqiptarëve. E zgjata shumë këtë pjesë po besoj se duheshe sqaruar ..

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!