Korrupsion në Qafë-Morinë për kalim të mallrave kontrabandë, arrestohet doganieri dhe 4 persona të tjerë

schedule11:44 - 16 Tetor, 2022

schedule 11:44 - 16 Tetor, 2022

Dy persona të cilët tentuan të kalonin mallra kontrabandë në pikën kufitare të Qafë-Morinës duke korruptuar efektivët janë arrestuar.

Në kuadër të operacionit policor të koduar “Qafë Morinë” u bë arrestimi edhe i një doganieri punonjës të tjerë të Policisë Kufitare.

Sipas njoftimit të bluve u arrestuan në flagrancë, për veprat penale “Kontrabanda me mallra të tjera” dhe “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, shtetasit A. Z., 27 vjeç dhe I. Rr., 41 vjeç, të dy banues në Pejë, Kosovë.

Këta shtetas janë kapur në flagrancë nga shërbimet e Policisë, në aksin rrugor “Qafë Morinë-Tropojë” duke transportuar me automjet, mallra të kontrabanduara (xhama dyersh dhe dritaresh), të cilat i kishin kaluar nga pika kufitare Qafë Morinë, duke korrupuar doganierin dhe dy punonjës të Policisë Kufitare.

Në vijim të veprimeve, u arrestuan në flagrancë për veprat penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Shpërdorimi i detyrës”, shtetasit J. M., 32 vjeç, banues në fshatin Tetaj, me detyrë doganier (përgjegjës turni) në PKK Qafë Morinë; S. M., 45 vjeç, banues në fshatin Bujan, me detyrë trup shërbimi në PKK Qafë Morinë dhe P. K., 58 vjeç, banues në fshatin Buçaj, me detyrë trup shërbimi në PKK Qafë Morinë.

Këta shtetas, duke shpërdoruar detyrën, kanë lejuar kalimin e mallrave të kontrabanduara nga shtetasit A. Z. dhe I. Rr., kundrejt përfitimit të shumave monetare.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan automjeti, së bashku me mallrat e kontrabanduara.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tropojë, për veprime të mëtejshme./Abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!