Korrupsion dhe shpërdorim detyre, Gjonaj: Procedim penal për 27 autorë

schedule14:17 - 4 Prill, 2019

schedule 14:17 - 4 Prill, 2019

Në raportin javor, ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, ka bërë të ditur se janë rekomanduar 9 masa disiplinore, janë proceduar penalisht 27 persona dhe janë referuar materialet në prokurori për tre persona të tjerë në lidhje me Task-Forcë Anti-Korrupsion.

Nën kontrollin e Task-Forcës ishte Agjencia Rajonale e Mjedisit në Durrës, por jo vetëm. Ministrja u shpreh se kontrolle periodike janë ushtruar nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve si dhe nga strukturat kundër korrupsionit në Policinë e Shtetit.

“Gjatë javës së kaluar Task-Forca Anti-Korrupsion ka zhvilluar kontrolle dhe inspektime në zyrat e administratës që ofrojnë shërbime për qytetarët. Pas një denoncimi të kryer në platformën e bashkëqeverisjes shqiperiaqeduam.al Task-Forca Anti-Korrupsion ka kryer një kontroll të detajuar pranë Agjencisë Rajonale të mjedisit Durrës lidhur me disa çështje siç janë respektimi i rregullave ligjore në ushtrimin e funksioneve rregullatore për lejet e mjedisit, dhënien e lejeve mjedisore, monitorimin e gjendjes së mjedisit, vlerësimin e gjendjes së mjedisit, monitorimin e ndikimit në mjedis, parimet e përgjegjësisë mjedisore si dhe kontratat e lidhura në përfundim të procedurave të prokurimit. Nga kontrolli janë evidentuar shkelje si në vijim.

Mosadministrim i praktikave në korrespondencë me pushtetin vendor, apo me institucione të tjera duke i kthyer shpeshherë në leje formale. Mos kryerjen e verifikimeve në terren nga ana e strukturave të agjencisë për mos  përputhje të dokumentacionit të pronësisë së ambienteve, mungesën e standardizimit në rastet e refuzimit të vetë monitorimeve sipas aktiviteteve që ushtrojnë subjektet si dhe mos kryerjen e matjeve të zhurmave në laboratorët e akredituar nga Drejtoria e Përgjithshme e Akreditimit. Në përfundim janë rekomanduar 9 masa disiplinore. Pezullim nga e drejta e ngritjes në detyrë përfshirë rritjen në shkallën e pagës për një periudhë deri në dy vjet për drejtorin e Agjencisë Rajonale Durrës në detyrë në kohën e shkeljeve të konstatuara. Vërejtje për drejtorin e komanduar të agjencisë si dhe shtatë vërejtje për specialistët e monitorimit të mjedisit.

Kontrolle periodike ushtrohen dhe nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve. Në datën 1.4.2019 janë referuar në Prokurorinë e Krujës materialet procedurale në ngarkim të tre punonjësve të institucionit të ekzekutimeve penale në Fushë-Krujë. Nga strukturat kundër korrupsionit në Policinë e Shtetit në javën që lamë pas janë evidentuar 19  vepra penale për korrupsion dhe shpërdorim detyre, duke proceduar penalisht 27 autorë”, tha Gjonaj./abcnews.al