Korrigjimi i kufijve, McAllister i kërkoi Merkel të pranojë idenë

schedule23:16 - 8 Tetor, 2018

schedule 23:16 - 8 Tetor, 2018

Sipas mediave serbe, Dejvid Mekalister, raportuesi për Serbinë në parlamentin europian i ka kërkuar kancelares gjermane Merkel që të pranojë idenë e korrigjimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë. Por refuzimi i Merkel ka qenë i prerë dhe i qartë.

Raportuesi për Serbinë në Parlamentin Europian, Dejvid Mekalister, i ka kërkuar kancelares gjermane që të pranojë zgjidhjen e propozuar nga Beogradi në lidhje me Kosovën. Sipas të përditshmes serbe Blic, e cila citon një burim nga qarqet diplomatike në Berlin ky shkëmbim mendimesh ka ndodhur me ndërmjetësimin e një deputeti gjerman në rradhët e partisë së Merkel.

Ai i tha kancelares se një marrëveshje mes dy palëve duhet mbështetur dhe se ky është propozimi që Serbia është gati të pranojë. Por pa u menduar fare, Merkel e refuzoi.

Blic shkruan se pavarësisht faktit që Merkel konsiderohet se ka marrëdhënie të mira me Serbinë dhe presidentin Aleksandër Vuçiç, ajo nuk e mbështet korrigjimin e kufijve apo një marrëveshje mes dy vendeve.

Sipas burimeve diplomatike në Berlin, kancelarja nuk ka asnjë problem me Serbinë dhe lidershipin e saj, por Merkel është e vetëdijshme se një ndryshim apo zbutje qëndrimi do e vendoste në një pozitë jo të mirë në Gjermani.

Dështimi i referendumit në Maqedoni ka tronditur Merkel, e cila është e shqetësuar dhe nga rezultatet e zgjedhjeve parlamentare në Bosnje e Hercegovinë.

Brenda në Gjermani, Merkel po përballet me beteja të brendshme dhe një rajon i trazuar do të vështirësonte gjërat për të. Nëse ajo do të pranonte propozimin e Serbisë, kjo do të nënkuptonte anëtarësime të reja në Bashkimin Europian.

Një zgjerim që pjesa më e madhe e Gjermanëve nuk e do, sepse mendojnë se duhet të kërkojnë më shumë dhe zgjerimi në këtë rast nuk është në interesin e tyre./abcnews.al