Krahas atyre momentale, koronavirusi po jep edhe efektet afatmesme në ekonomi, siç është ulja e konsumit të qytetarëve duke ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë tek prodhuesit në vend.
Gazetarja Valbona Davidhi raporton për abcnews.al nga Fieri se çmimet e frutave dhe perimeve të prodhuara nga banorët e zonës, të cilat më pas ia shesin tregtarëve të shumicës, janë përgjysmuar gjatë këtij sezoni duke shkaktuar probleme të mëdha ekonomike për ta.
Për shkak se nuk lëviznin dot deri më tani, banorët janë të detyruar që t’i shesin prodhimet e tyre me çmime të ulta tek tregtarët që shkojnë dhe i mbledhin me makina.
Kështu për shembull, siç shprehet në prodhues qershish, një vit më parë ajo shitej me 200 lekë për kilogram, kurse këtë vit me 100 lekë për kilogram.
“Vijnë e marrin sa iu do qejfi atyre. Këtu mund të vijë të na ndihmojë shteti. Po të duan na ndihmojnë, por nuk duan”, shprehet një fermes.
“Vijnë këtu e marrin me 100 lekë kilen e qershisë. E marrin me 100 dhe e shesin me 200 lekë. Nuk na del leverdia me këtë çmim.
Na e bëri virusi këtë se vitet e tjera dilnim dhe e shisnim vetë me çmime shumë më të mira”, shprehet një tjetër. /abcnews.al