Aktori i njohur i Broadway, Nick Cordero ka humbur betejën me koronavirusin. Lajmin e ka bërë me dije bashkëshortja e tij, Amanda Kloots përmes një postimi në Instagram, e cila tha se 41-vjeçari vdiq të dielën pasi qëndroi më shumë se 90 ditë në spitalin Cedars-Sinai.
“Zoti ka një engjëll tjetër në parajsë tani. Burri im i dashur ndërroi jetë këtë mëngjes.“, tha ajo. “Zemra më është thyer dhe nuk e imagjinoj dot jetën pa të. Ai ishte shoku i të gjithëve, i pëlqente të dëgjonte, të ndihmonte dhe veçanërisht të fliste. Ai ishte një aktor dhe muzikant i jashtëzakonshëm. Ai e donte familjen e tij dhe e adhuronte të qenit një baba dhe bashkëshort.”, ka shkruar Amanda ndër të tjera.
Aktori me origjinë kanadeze u nominua për Tony Award në 2014 për rolin e tij në “Bullets Over Broadway” dhe gjithashtu do të mbahet mend për rolin e tij në filmat “Rock of Ages”, “Waitress” dhe “A Bronx Tale”. /abcnews.al