Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen tha të hënën se agjensia e BE për parandalimin e sëmundjeve kishte rritur masat ndaj koronavirusit, pasi përhapjes së virusit në 18 vende të BE-së shkruan Jerusalem Post.
“ECDC (Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve) ka njoftuar sot se niveli i rrezikut është rritur nga mesatar në të lartë për njerëzit në Bashkimin Evropian. Me fjalë të tjera, virusi vazhdon të përhapet”, tha ajo para një konference për shtyp në Bruksel.
Komisionerja shëndetësore Stella Kyriakides tha se 2.100 raste të koronavirusit u konfirmuan në 18 nga 27 shtetet e BE-së, dhe 38 shtetas të BE kanë vdekur për shkak të sëmundjes.
Të hënën, Portugalia regjistroi dy rastet e para të koronavirusit njoftoi kanali televiziv SIC.
Thuhet se një rast u zbulua tek një burrë që kishte udhëtuar së fundmi në Itali dhe një tjetër tek një burrë që ishte kthyer nga Spanja. Të dy u dërguan në spital në Porto.
Në një vend tjetër të Bashkimit Evropian, Gjermani, numri i rasteve të konfirmuara të koronavirusit është rritur në 150 të hënën nga 129 të dielën, tha Instituti Robert Koch për kontrollin e sëmundjeve.
Më shumë se gjysma e rasteve, 86, janë në rajonin perëndimor të Rhine-Westphalia, ku disa shkolla dhe qendra të kujdesit ditor do të mbyllen të hënën për të parandaluar përhapjen e virusit pasi stafi rezultoi pozitiv ndaj koronavirusit./abcnews.al