Adoleshentja Kori Gauff vazhdoi sukseset në Grand Slemin e Uimbëlldonit, duke mundur edhe sllovenen Hercog. Amerikania ishte pranë humbjes, por reagoi me karakter.
E tregoi veten në momentet më të vështira dhe fitoi. Ishte seti i dytë në fushën qendrore në “All England Club”, dhe një vajzë 15-vjeçare ishte thuajse e mundur përballë një tenisteje me shumë më tepër përvojë. Kori “Coco” Gauff kishte humbur setin e parë 3-6 ndaj sllovenes Polona Hercog, dhe rivalja kishte topin për të fituar ndeshjen, me setin e dytë 5-2 në favor.
Papritur adoleshentja amerikane “prodhoi” një gjuajtje të habitshme nga “asgjëja” duke fituar pikën, dhe në atë moment, dikush nga tribuna thirri: “Presioni është privilegj”!
Nuk dihet nëse kjo batutë theu rekordin botëror të origjinalitetit, por Kori u duk e transformuar. Hercog pati dhe një tjetër top për të mbyllur ndeshjen, kur shifrat ishin 5-4, duke pasur shërbimin në duart e saj, por bëri një gabim të dyfishtë. Në përfundim, Gauff triumfoi në setin e dytë, pas “lojës vendimtare” duke fituar 9-7 dhe krejt setin 7-6.
Edhe seti i tretë ishte tepër i fortë, por 15-vjeçarja tashmë e kishte mbledhur veten dhe nuk u dorëzua derisa e mbylli 7-5. Gauff ia doli pas 2 orësh e 45 minutash, e mbështetur nga 14 000 spektatorë, dhe me praninë e prindërve të saj në tribunën mbretërore.
Amerikania nuk është më e reja që arriti në raundin e katërt në Uimbëlldon, pasi Xhenifer Kapriati, Stefi Graf apo Andrea Jeger e bënë më herët se ajo. Gjithsesi, Kori Gauff është e veçanta e këtij sezoni, dhe nuk do të dorëzohet lehtë./ABC News Albania 24/7