Koreja e Veriut/ Trump: Bisedimet sjellin marrëveshjen më të madhe

schedule11:41 - 11 Mars, 2018

schedule 11:41 - 11 Mars, 2018

Presidenti amerikan, Donald Trump, thotë se bisedimet e tij me Korenë e Veriut mund t’i sjellin botës marrëveshjen më të madhe. Megjithatë, ai nuk e mohoi mundësinë e dështimit. Gjatë një tubimi elektoral, Trump foli edhe për rikandidimin dhe taksat.

Presidenti amerikan, Donald Trump, tha se takimi i tij i planifikuar me udhëheqësin e Koresë së Veriut, Kim Jong-un, mund të dështojë ose të sjellë marrëveshjen më të madhe për botën. Në një tubim politik në Pensilvani, kreu i Shtëpisë së Bardhë u tha mbështetësve se ai besonte se Koreja e Veriut dëshironte të bënte paqe. Por ai nënvizoi se mund të largohet shpejt nga bisedimet nëse nuk mund të bëhej përparim për çarmatimin bërthamor të vendit komunist. Në fjalimin e tij, lideri amerikan lançoi sloganin për rizgjedhje në vitin 2020 duke thënë: “Ta mbajmë Amerikën Madhështore!”.

“Kush e di se çfarë do të ndodhë. Unë ndoshta mund të largohem shumë shpejt ose mund të bëj marrëveshjen më të madhe për botën”, u shpreh ai në një tubim elektoral për një kandidat republikan të Kongresit. Në fjalimin e tij, Trump tha se shpresonte në arritjen e një marrëveshjeje për të lehtësuar tensionet bërthamore, veçanërisht për të ndihmuar vende si Koreja e Veriut. Presidenti amerikan gjithashtu theksoi se beson që Koreja e Veriut do të nderojë angazhimin për të mos testuar më raketa. “Unë mendoj se ata duan të bëjnë paqe, mendoj se është koha”, u shpreh Trump para mbështetësve të tij.

Ndërkohë, asnjë datë apo vend nuk është caktuar për takimin, pavarësisht raportimeve fillestare se mund të ndodhë në fund të Majit. Asnjë president amerikan në detyrë nuk është takuar me një lider të Koresë së Veriut dhe vendimit i Trump për të pranuar ftesën e Kim Jong-un të dorëzuar nga të dërguarit special të Seulit, njoftohet se zuri në befasi zyrtarë të lartë të administratës së Shteteve të Bashkuara.
Trump me anë të një mesazhi në Twitter tha se arritja e një marrëveshje është e mundshme, megjithatë Shtëpia e Bardhë bën me dije se takimi nuk do të ndodhë, derisa Pheniani të ndërmarrë veprime konkrete për denuklarizim. SHBA nuk ka bërë lëshime në sanksionet e sajë kundër Koresë së Veriut dhe besohet se strategjia e presionit dhe izolimit ka funksionuar.

Ndërkohë, përveç bisedimeve për çarmatosjen bërthamore, Trump iu rikthye çështjeve të brendshme amerikane ndërsa ngriti përsëri mundësinë e dënimit me vdekje për shpërndarësit e drogës. Presidenti amerikan foli ashpër sa i përket tregtisë. Ai përsëriti kërcënimin e tij për makina e importuara nga Bashkimi Europian duke thënë se nëse nuk hiqen tarifat dhe pengesat, atëherë administrate amerikane do të vendosë taksa kundër Mercedez Bez dhe BMW-së./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!